Dhjetëra miliona njerëz në të gjithë Bashkimin Evropian po votojnë sot për Parlamentin e ri Europian. Këto zgjedhje pritet të zhvendosin bllokun më në të djathtë dhe potencialisht t’i japin një tjetër drejtim Bashkimit Evropian. Lufta në Ukrainë, ndikimi i politikave klimatike te fermerët dhe migrimi janë disa nga shqetësimet kryesore të zgjedhësve teksa hedhin votat për 720 anëtarët e Parlamentit Evropian. Rezultatet zyrtare të votimeve nuk mund të publikohen përpara se qendrat e fundit të votimit të mbyllen në Itali në orën 23:00. Sidoqoftë, disa të dhëna do të publikohen nga vetë Parlamenti Evropian në orën 14:30 sot.
Parlamenti Evropian në Bruksel u mbulua me pankarta që nxisin qytetarët të votojnë të dielën, në ditën e fundit të zgjedhjeve katër-ditore. Të dielën votohet në 21 vende të BE-së, përfshirë Francën dhe Gjermaninë.
Në Francë, ndërsa udhëheqësja e të djathtës së vijë së ashpër Marine Le Pen nuk është në listën e kandidatëve, ajo pritet të dalë fituesja kryesore e këtyre zgjedhjeve. Sondazhet e nxjerrin partinë e saj “Tubimi Kombëtar” si fituese me 33% të votave. Partia rivale “Rilindja” e Presidentit Emmanuel Macron, sipas sondazheve, mund të marrë mbi 14% ndërsa socialistët francezë pritet të fitojnë 13% të votave.
Diskutime rreth kësaj post