Analisti Ilir Kalemi u shpreh se në kabinetin e ri Rama 3 shumica e ministrave janë rikonfirmuar duke ruajtur pozicionet e tyre ose duke pësuar zhvendosje.
Sipas tij, ai ka bërë që të heqin dorë shumë personazhe të cilët kanë pasur bastionet e tyre dhe kanë marrë shumë vota në zgjedhjet, duke e centralizuar akoma më shumë pushtetin për të fituar mandatin e 4.
“Në kabinetin e ri Rama 3 shumica e ministrave janë rikonfirmuar duke ruajtur pozicionet e tyre ose duke pësuar zhvendosje. Emrat e rinj janë zëvendësuar pasi kanë pasur vite në drejtimin e ministrisë. Rama ka në kabinet 75% femra duke arritur një rekord botëror.
Ai ka ulur edhe peshën e atyre që janë si tip bejlerësh rajonalë, si Taulant Balla që ka marrë shumë vota në Elbasan. Përmes kësaj mënyre ai ka bërë që të heqin dorë shumë personazhe të cilët kanë pasur bastionet e tyre. Nuk mendoj se janë penalizuar për performacën e tyre elektorale, sepse janë shpërblyer ata që kanë pasur performancë shumë të ulët.
Mendoj se Rama ka ruajtur ekuilibrat në parti duke u dhënë atyre poste në parti. Kemi një lloj rehabilitimi të të pakënaqurve, duke ruajtur ekuilibrat dhe zbehjen e faktorëve me peshë lokale. Kjo ka bërë që pushteti të centralizohet akoma më shumë në duart e Ramës që është edhe kryeministër, edhe kreu i PS-së. Nuk duket të ketë një shenjë të një tërheqje të Ramës në kohët e fundit, përpos ndonjë ftesë për ndonjë post ndërkombëtar sikurse është folur. Unë mendoj se Rama synon një mandat të katërt në këtë rast”, – u shpreh Kalemi për Ora News.
Diskutime rreth kësaj post