Analisti Mentor Nazarko ka përshëndetur dje vendimin e kryeministrit Edi Rama, i cili i ka thënë “po” kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për strehimin në Shqipëri të disa qindra afganëve, që sipas shefit të qeverisë shqiptare, janë nga të parët në listat e ekzekutimeve.
Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, analisti Nazarko deklaroi ditën e djeshme se Shqipëria kishte detyrim moral dhe politik për t’i pranuar refugjatët politikë afganë, që sipas tij, janë të aftë, të parrezikshëm dhe kanë cilësi për t’u përshtatur me shoqëritë perëndimore.
“Ky është një operacion që Shqipëria duhet ta bënte, për shkak se është anëtar me një pozitë të caktuar në bashkësinë ndërkombëtare. Shqipëria bën mirë që e rrit prestigjin e vet ndërkombëtar, duke qenë ndër të parat shtete që i pranon këta njerëz. Unë mendoj që njerëzit që vijnë nuk janë njerëz të pakualifikuar nga pikëpamja profesionale. Janë njerëz që kanë punuar me ushtrinë amerikane. Janë njerëz që kanë jetuar pajtueshëm me perëndimorët. Kanë zanate, aftësi, që i bëjnë të përshtatshëm për shoqëritë tona. Nuk janë njerëz që vijnë direkt nga ato malet e Afganistanit dhe zbresin në Europë, e gjenden si peshku pa ujë. Jo, ata kanë cilësi njerëzore që i bëjnë të përshtatshëm për shoqëritë tona. Unë e besoj që ata janë të përkohshëm te ne, por edhe nëse qëndrojnë, ne nuk jemi shoqëri që na rrezikohet përbërja etnike nga ardhja e tyre”, – deklaroi ai.
Ndërkohë sa u takon akuzave pse kryeministri Edi Rama nuk ka bërë transparencë për këtë operacion strehimi të afganëve, Nazarko deklaroi se ky ishte një operacionin i fshehtë që ishte ekskluzivitet i SHBA-ve.
“Karta e transparencës është një kartë qesharake. Ky është një operacion, i cili është mbajtur në sekret të plotë nga ata që janë ideatorët, pra nga amerikanët”, – nënvizoi analisti Mentor Nazarko.
Diskutime rreth kësaj post