Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj mori pjesë ditën e sotme në Komisionin parlamentar të Ekonomisë ku u pyet për vendimet e qeverisë në lidhje me amnistinë që ka nxjerrë, por edhe për numrin dhe kategoritë që përfitojnë.
Sipas Gjonajt, gra të dënuara me vendim të formës së prerë në burgjet shqiptare janë 54 nga të cilat 22 do të përfitojnë lirinë nga amnistia, ndërsa 28 të tjera ulje të dënimit me 1/3 e tij ndërsa 4 prej tyre nuk janë përfshirë si pjesë përfituse nga amnistia.
Sipas Gjonajt, me amnistinë e nxjerrë në prag të vitit 2020 përfitojnë në total 164 të dënuar.
Pavarësisht se me një diferencë shumëfishe, numri i të dënuarve burra është më i madh, prej tyre do të përfitojnë vetëm 141 të dënuar.
Ashtu sikurse ka deklaruar edhe më herët, Gjonaj tha se nga amnistia nuk do të përfitojnë të akuzuarit për vjedhje dhe grabitje, duke qenë se ka filluar të jetë një fenomen në rritje dhe shqetësues e për rrjedhojë nuk duhet toleruar.
“Vjedhja është një vepër e përhapur, janë 4 mijë e ca raste, gati gjysmës nuk i dihet autori. Prandaj të dënuarit për vjedhje të mos përfitojnë nga amnistia“, tha dje Gjonaj në Komisionin e Ekonomisë.
Por cilat janë kategoritë që përfitojnë nga kjo amnisti?
Amnistohen personat e dënuar meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna, deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
Amnistohen personat e dënuar femra dhe të mitur me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjbën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
Amnistohen personat e dënuar meshkuj me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.
Amnistohen personat femra dhe të mitur të dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.
Amnistohen personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.
Amnistohen personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.
Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
Të gjithë të dënuarve femra dhe të mitur që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas paragrafëve 2, 4, 5 dhe 7 të këtij neni, u zbritet 1/3 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji. Nuk përfitojnë sipas këtij paragrafi, personat e dënuar përsëritës të së njëjtës vepër penale.
Diskutime rreth kësaj post