Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka reaguar ndaj akuzave të Arben Ristanit për amnistinë. Manjani thotë se amnistia nuk është falje individësh konkretë.
Referuar dhe përmendjes së emrave konkretë nga z. Ristani, Manjani thotë se amnistia nuk përmban asnjë kriter apo kategori personash për veprat penale të përmendura prej sekretarit të përgjithshëm të PD-së.
“Pra as trafikantët e drogës, as abuzuesit me detyrën, as grupet kriminale, as vrasësit, as dhunuesit e familjes, as përsëritësit as ata që tashmë i janë shmangur drejtësisë,e të tjera si këto (neni 4 i projekt ligjit) nuk propozohen të përfshihen në Amnisti! Ashtu si vitin e shkuar, ku me Partinë Demokratike ramë dakort, edhe këtë vit kategoritë që propozohen të përfitojnë janë thuajse po ato! Dhem me “thuajse” nuk nënkuptohet që ka shteg për spekulime në shkelje të standartit human të Amnistisë! Absolutisht jo! Propozojmë që në parim të jenë përfitues të miturit; gratë dhe burrat e moshës së tretë dhe të sëmurët në fazë terminatore të jetës së tyre!”, shkruan Manjani në profilin e tij në Facebook.
Ai thekson se amnistia është thjesht një propozim, dhe se Partia Demokratike është e mirëpritur ta ndryshojë, të shtojë apo të heqë kritere dhe kushte në Kuvend.
“Gjykimi apriori mbi një propozim, aq më shumë gjuha akuzatore e përdorur, nuk janë një gjë e mirë! Rregulli demokratik e do që fillimisht të shterrojmë argumentet, pastaj të shprehim qëndrimet. Natyrisht nuk ka asnjë problem nëse mbetemi jo dakort. Spekulimet me raste apo insinuata që skanë lidhje me pëmbajtjen e projekt ligjit, nuk ndihmojnë! Jam i bindur se në Kuvend do ta gjejmë gjuhën e përbashkët, ashtu si vitin e kaluar! Përfituesit nuk janë të ndarë majtas e djathtas. Ata janë shtetas që presin aktin human të shtetit më shumë se sherrnajën e pushtetit! Amnistia ka nevojë për kontributin dhe mbështetjen e Opozitës, sepse njerëzit kanë nevojë të na shohin të bashkuar në fund të këtij viti, që mund të mbyllet me një ligj ku të gjithë jemi dakort! Jemi të gatshëm të bisedojmë për të permirësuar propozimin”, përfundon ministri i Drejtësisë.
Diskutime rreth kësaj post