Struktura e Posaçme Antikorrupsion u ngrit me 8 prokurorë, të cilët u emëruan aty pasi kaluan vetingun për të tre kriteret e vlerësimit, atë të pasurisë, të figurës dhe të profesionalizmit. Në kriterin e pasurisë, të 8 prokurorët bënë deklarime të sakta, të cilët justifikuan atë çfarë kishin në pronësi.
Prokurori Altin Dumani ka deklaruar në vitin 2017 se ka një qira mujore 25.000 lekë në muaj, një makinë Seat blerë 5000 euro, gjendje në llogari bankare nga ana e bashkëshortes me 48.850 lekë dhe një tjetër 14.330 lekë, 71 euro në një bankë dhe 958 lekë në një bankë tjetër, si dhe 2.1 milionë lekë të vjetra në një tjetër bankë. Të ardhurat vjetore si prokuror i Apelit i kapin shifrën e 12.2 milionë lekëve të vjetra në vit; për të shoqen janë 7.7 milionë lekë të vjetra.
Kjo e fundit, merr disa të ardhura edhe si përkthyese te Ministria e Drejtësisë, por që kapin shumën 400 mijë lekë të vjetra. Dy kontrata qiraje që ka, rezulton se e ka paguar vetë tatimin në burim. Ka një hyrje në një pallat te kompleksi “Dinamo” që e jep me qira, që variojnë herë 400 e herë 500 euro në muaj. Ndërsa një hyrje tjetër shtëpi, e ka apartament në një pallat në Yzberisht.
Apartamentin e fundit në Yzberisht, e ka 75.7 metra katrorë dhe sipas deklaratës së pasurisë e ka blerë 41 mijë euro. Pagesën e ka përfunduar në euro dhe lekë në 2015. Në vitin 2006 blen shtëpinë që jeton edhe sot, me 127 metra katrorë, pasi më parë mori një kredi të butë nga qeveria, me interes 3 për qind, prej 50 milionë lekësh të vjetra. Pagesën e shtëpisë, sikurse rezulton nga deklarata e 2006 e ka paguar me këste.
Por edhe prokurori tjetër i SPAK, Behar Dibra ka bërë deklarim të pasurisë, e cila duket “e varfër”. Sipas deklaratës së dhënë në mars 2018, kutitë janë thuajse bosh. Gjendet informacion për të ardhurat vjetore dhe shpërblimet nga puna si prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në shumën 17 milionë lekë të vjetra. Dhe në kuadratet e detyrimeve financiare, ka të shënuar një kredi për strehim të marrë në BKT në shumën 50 milionë lekë të vjetra për të shlyer shtëpinë.
Ka shlyer rreth 4 milionë lekë, por ka ende për të bërë. Për herë të parë regjistrimi i shtëpisë është bërë në vitin 2013, kur është deklaruar në pasuri. Një apartament 1+1 në katin e shtatë të një godine 9 katëshe në Tiranë, me 62.7 metra katrorë që sikurse deklaron e ka blerë me kredinë prej 5 milionë lekësh. Kontratën e sipërmarrjes me firmën e ka deklaruar që në 2012, madje edhe shumën e parave që do të blejë shtëpinë.
Më pas, gjithçka në deklaratën e tij të pasurisë janë kuadrate bosh, as depozita bankare, as makinë, as sende me vlerë, as bashkëshorte apo fëmijë, madje asnjë familjar i afërt. Vetëm prokurori, paga e tij si prokuror, dhe shtëpia 1+1 në një pallat 9-katësh në kryeqytet.
Diskutime rreth kësaj post