Kryetari në detyrë i PD, Enkelejd Alibeaj ka reagiuar në lidhje me drekën që u organizua sot dhe ku u bënë bashkë demokratë nga të dyja grupet.
Xhelal Mziu organizoi një drekë me rastin e festave të fundvitit dhe aty shkuan Berisha me të gjithë besnikët e tij, por edhe shumë emra që njihen si grupimi i Alibeajt. Mes tyre ishte madje dhe Gazment Bardhi. Vetë Alibeaj ishte ftuar, por e refuzoi takimin.
Ky i fundit ka folur për mediat pas një takimi në Durrës. Alibeaj e ka cilësuar drekën në fjalë si një kurth ndaj demokratëve dhe prandaj e ka refuzuar.
“Unë po dal nga darka me demokratët e Durrësit dhe po shkoj te darka me demokratët e degës dy në Tiranë. Për darkën që ju thoni kam pasur një ftesë dhe e kam refuzuar. Sepse kur në ftesa ngrihen kurthe dhe prita nuk i pranoj. Kam aq mundësi sa t’i nuhas dhe t’i refuzoj”, tha Enkelejd Alibeaj për gazetën “Liberale”.
Ndërkohë një reagim pati edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili ka rrëzuar zërat e një bashkimi me Berishën. Ai ka thënë se pavarësisht darkës sot, nuk ka ndryshuar asgjë sa i takon raporteve brenda PD.
“Keqpërdorimi për qëllime politike i një dreke miqësore të organizuar nga kolegu Xhelal Mziu me rastin e festave të fundvitit është akt dëshpërimi. Në vaki, festa, apo dasma, të ftuarit nuk zgjedhin dot njëri tjetrin. Ky nuk përbën asnjë fillim të vjetër apo të ri dhe dreka e sotme nuk kishte asnjë mesazh politik! Faleminderit kolegut Mziu për ftesën dhe Gëzuar Festat”, shkruajti Bardhi në një postim në Facebook.
Diskutime rreth kësaj post