Gazetari Alfred Peza, ish-deputet i Partisë Socialiste, është rikthyer në skenën publike si shkrimtar me librin e tij letrar të bazuar mbi një figurë historike, Sarah Blloshmi, botuar nga MapoEdition.
Gjatë promovimit të këtij libri Peza lajmëroi projektin e tij në fushën e letrave duke u marrë me figura të tjera historike, si Mbreti Zog dhe diktatori Enver Hoxha.
“Ky libër është pjesë e një projekti psikologjik, ku pas Ahmet Zogut do të pasohet besoj vitin e ardhshëm me një libër për Enver Hoxhën, dhe më pas për një lider shqiptar të pas ’90, të epokës së pluralizmit, sepse në këtë mënyrë, unë dua që nëpërmjet tre personazheve politikë më të rëndësishëm ose jo, të historisë së Shqipërisë, të shpjegoj sipas meje historinë e vendit tonë”, u shpreh Peza sot gjatë promovimit të librit në UET.
Ndërsa për librin e sapobotuar “Sarah” ai tha se “faktikisht është një libër tipik, me një përsonazh atipik, i shkruar nga unë në një kohë atipike. Dhe atipizmi është ajo që e bën këtë libër të ketë këtë interes”.
Ky libër i ka kushtuar pesë vite punë kërkimore nëpër Arkiva, hulumtime, hapje dosjesh pothuaj 100 vjeçare për të rënë në gjurmët e historisë së rrallë të gruas më të mistershme e të përfolur, Sara Blloshmit, e cila ka jetuar në kapërcyell të Luftës së Dytë Botërore në Tiranë.
Dy personazhe të këtij libri janë realë; Sara Blloshmi dhe Ahmet Zogu, të cilët siç besohet kanë pasur një histori dashurie mes tyre.
“Bëhet fjalë për Shqipërinë mes dy luftërave botërore. Personazhet kryesorë janë Ahmet Zogu, kryeministri-President dhe më pas Mbret i Shqipërisë. Sarah, bashkëshortja e Selahudin Blloshmit, deputetit të Parlamentit të Shqipërisë dhe mbesa e Ismail Qemalit.
Rreth tyre ka edhe shumë personazhe të tjerë realë ose të trilluar, të një Shqipërie që sapo kishte dalë nga nata Osmane, në kërkim të një identiteti të ri, në fillim të një shekulli të trazuar. Ka brenda tij intrigën e pashembullt të pushtetit, pasionin e fshehtë përvëlues dhe enigmën e madhe të një vrasjeje. Eshtë një libër emancipimi, për gra të lira dhe burra të vërtetë”, është shprehur vetë Peza në një intervistë tek Mapo për librin.
Botuesi Henri Çili vlerësoi guximin e Pezës për t’u marrë me një zhanër letrar, ndryshe nga publicistika që ka shkruar më parë.
“ Aftësia, vullneti dhe kapaciteti i tij, por mbi të gjitha, një veti e tij, po themi “e fshehur”, interesi i tij shumë i madh dhe uria e tij kulturore ka qenë e demostruar për mendimin tim përgjatë gjithë karrierës së tij dhe është baza se pse ai konvertohet kaq lehtë nga një karrierë në tjetrën dhe arrin suksese nga një karrierë në tjetrën.
Alfred Peza ka një interes të jashtëzakonshëm për kulturën, për studimet, për letërsinë, për mendimin, për idetë dhe kjo amalgam e bën që ai të lëvrojë dhe një zhaner tjetër. Historia është intriguese, realiteti është më fantazist se vetë çdo fantazi e shkrimtarit, rreth mbretit Zog ose rreth donzhuanit Zog dhe asaj çka e ka rrethuar jetën e tij rozë ka dhe do të ketë një kuriozitet gjithnjë e më të madh dhe unë mendoj që ky libër e plotëson këtë”- u shpreh Çili gjatë promovimit.
Diskutime rreth kësaj post