Nga: Alfred Lela
Të gjithë prisnin e flisnin që Edi Rama të zgjidhte një grua si Presidente të vendit, ai nuk i kënaqi parashikuesit e kësaj teze, por u bashkua me ta te fakti se zgjedhja do të ishte ekskluzivisht e tij. Siç prej një muaji jehon komentariati politik në Tiranë.
Rama, duke mos zgjedhur një grua, nuk është se iu largua shumë prirjeve të veta. Mos harroni se, edhe një President para Metës, ai kishte ofruar kandidaturën e një ushtaraku, gjeneralin Sandër Lleshaj, emri i të cilit kishte ardhur te ai nëpërmjet shkrimtarit Ismail Kadare.
Duhet të ndalemi te ky profil, ai i ushtarakut të lartë, të cilin e përfaqësonte deri dje Lleshaj në aulat e politikës socialiste dhe nga sot e për pesë vjet me radhë, Bajram Begaj. Skanimi i profilit profesional dhe njerëzor është i rëndësishëm për të kuptuar se deri ku do të jetë z. Begaj President i Edi Ramës dhe sa ‘përfaqësues i unitetit të kombit’ dhe mbi palët politike.
Statura e gjeneralit dhe uniforma e ushtarakut, në shikim të parë të çojnë drejt shtampës së një burri serioz, që nuk bën kompromise dhe që ka ‘nderin, detyrën dhe atdheun’ para çdo gjëje, siç tha edhe vetë dje gjenerali-në-pritje-të-Presidencës, në takim me Kryeministrin. Ne jemi të detyruar ta vëmë dyshimin në fre për Presidentin e propozuar, por nuk ka se si, të mos bëjmë një krahasim me gjeneralin tjetër, i cili mori dy favore nga Partia Socialiste dhe Edi Rama, Sandër Lleshajn.
Në fillim i rëzuar nga Berisha për postin e Presidentit, ai u kthye në kohën e qeverisjes socialiste, në fillim si këshilltar ushtarak i kryeminsitrit Rama dhe më vonë si ministër i Brendshëm. Në këtë detyrë ai prodhoi disa prej momenteve më kundërthënëse në raport me opozitën, duke tejkaluar fort edhe socialistët 24 karatësh, paraaradhësit e tij, Sajmir Tahiri dhe Fatmri Xhafaj. Brutaliteti i ndërhyrjeve të Policisë së së tij ishte i pashoq. zelli prej shërbëtori për t’i hyrë në qejf shefit ose inati i padalë me opozitën, e cila kur emri i tij ishte thirrur në apel nga historia për t’u bërë i pari i vendit, u prit me refuzim.
Cilido qoftë interpretimi, z. Lleshaj do të mbahet mend si nxënës i teprimit. Si të gjithë ata që e teprojnë me shërbime, ashtu përfundoi edhe ai. I dorëhequr pas asgjesimit së Klodian Rashës ai tranzitoi drejt fundit si drejtues qarku i PS në Lezhë. Rivaliteti me figura të tjera të PS atje, e bënë Ramën që, mes tij dhe socialistëve të zgjidhte ata që u vlente lëkura politikisht dhe jo zejtarinë në zell të Lleshajt. Ai e pa veten jashtë listës së kandidatëve për deputetë, dhe kjo e hodhi andej nga erdhi, në margjinat e jetës publike.
Sot më shumë një kujtim i hidhur i opozitarëve se sa një kujtesë politike, Lleshajt i duhet të lëpijë palgët e zelltarit që mendon se shërbimi nuk i është shpërblyer. Leksioni që ai la si ministër i Brendshëm, dhe do të kish prodhuar edhe po të ishte zgjedhur President është se kandidaturat dhe profilet jopolitike apo jopublike, janë dëshmuar të papërshtatshme, në mos kundërproduktive në rolin e kreut të shtetit, apo dhe në ushtrime të tjera të pushtetit. Pa fibrën politike ata kthehen në profesionistë jashtë gravitetit të tyre. Të trysnuar nga fuqia e madhe e krerëve dhe mjedisit politik ata kërkojnë të plotësojnë me zell, atë që nuk e kanë në staturë politike.
Ky ishte hendeku në të cilin ra Sandër Lleshaj dhe i njëjti rrezik e prêt Bajram Begajn./Tpz.al
Diskutime rreth kësaj post