Nga: Alfred Lela
Kryeministri Rama ka pezulluar mardhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, duke urdhëruar largimin e personelit dhe lirimin e ambasadës iraniane ne rrugën “Mustafa Matohiti”.
Arsyeja tashmë është artikuluar: iranianët kanë hyrë në sistemet kibernetike të Shqipërisë, duke vjedhur të dhëna dhe duke thyer sigurinë e rrjetit të infrastrukturës online.
Pasë bërë këtë, ata kanë në dorë informacione të ndjeshmërisë së lartë për punët e shtetit, zyrtarët e Republikës, por edhe informacione që dëmtojnë apo ekspozojnë privatësinë e qytetarëve shqiptarë, pra të secilit prej nesh.
Propoganda zyrtare e ka naltuar këtë vendim të kryeministrit, dhe kjo ka ardhur për disa motive.
Së pari, se Ramës i pëlqen, ku s’ka më, të luajë në skakierën e madhe të politikës ndërkombëtare;
së dyti se jemi një vend ku ‘loja me spiunë’ është një sport kaq i pëlqyer dhe,
së treti, se një qeveri që noton në kaq shumë skandale të prodhimit të vet, një rast për kundër-skandal nuk mund t’i shpëtojë.
Këmbëngatërruar, siç shpesh jemi në liane të tilla socio-psikologjike, shumë prej nesh kanë harruar se, iranianët nuk qenë të parët që e derdhën kupenë plot të të dhënave të qytetarëve të Shqipërisë.
Iranianët e parë qenë, në fakt, të njëjtët që sot janë shndërruar në anti-iranianët më të përndezur.
E kam fjalën për patronazhistët, një sistem kujdestarie, spiunazhi, përndjekjeje dhe skuthërie, ngritur nga partia në pushtet, shef i së cilës është, sipas gojëdhanave, anti-iraniani më i madh pas Ronald Reganit, dora vetë, Edi Rama.
Patronazhistët ishin një rrjetë e madhe hedhur mbi trupën elektorale shqiptare, një lloj STAS-i zgjedhor, që përimtonte bindjet dhe animet politike të shtetasve të Republikës, dhe u caktonte atyre një ‘kujdestar’ apo hije, i/e cila “i ndiqte” me qëllimin final tjetërsimin e vullnetit politik.
Ky ishte ndoshta hapi final në një operacion edhe më të madh, edhe më të vjetër, i cili përfshinte më së pari përdorjen flagrante të administratës shtetërore, intimidimin e zgjedhësve me anë të të fortëve të zonave, dhe, ndoshta me ndërhyrjen më të butë të kësaj thertoreje elektorale, blerjen e votës drejtpërdrejt, duke dhënë para në këmbim të një kryqi anash kandidatit të majtë ditën e zgjedhjeve.
Infrastrukturat, si formale ashtu dhe informale, janë, sigurisht, pjesë e teatrit shoqëror. Të dytat, informalet, ekzistojnë si paralele, herë të sikletshme e herë sekrete të formaleve, dhe variojnë nga lozhat, klubet, besëlidhjet, konspiracionet, e deri te grupet paramilitare.
I ka çdo vend, që nga Argjentina, deri në Amerikë e Singapor.
Ajo që nuk ndodh në asnjë vend është promovimi i tyre publik.
Për këtë gjë në demokraci është rënë dakord.
Të lejohen me stil anekset e frustrimit apo bindjeve shoqërore, të papranuara publikisht, por të mos pagëzohen në sferën e gjerë të lojës publike.
Edi Rama e theu këtë rregull.
Në vend që, qoftë edhe duke u shtirur, t’i dënonte strukturat e patronazhimit, ai i naltoi duke u shprehur krenar.
Pra, i nxori nga infrastruktura informale dhe i bëri pjesë të superstrukturës publike.
Rrallë në historinë e kombeve ka ndodhur që kreu i një shteti të kryejë trangresione të tilla.
Për një ndikim në procesin e infrastrukturës zgjedhore, të një shkalle më të vogël dhe gjithsesi në tentativë, Richard Nixon dha dorëheqjen si president i Amerikës, në skandalin e njohur si Watergate.
Edi Rama mori patronzhgejtin e tij dhe na e hodhi në fytyrë, si ne të pafuqishmëve të Shqipërisë, ashtu edhe përfaqësuesve të vendit kolosal, që vinin nga Watergate-i i mëkatit fillestar zgjedhor.
Jeta vazhdoi e lumtur me koncerte beiste dhe ritaora të tjera në Republikën albo-amerikane, deri në një fazë të dytë të batërdisë dhe bastardësisë.
Një rrjedhje industriale e të dhënave, dalë nga AKSHI-i qeverisë, nxori në publik detaje personale, nga kartat e identitetit der te adresat dhe rrogat e të gjithë të gjallëve të Shqipërisë.
Pasë përvetësuar një teknikë të komunikimit publik, sipas së cilës mënyra më e mirë për ta shuar një skandal të madh është të marrit e pronësisë së tij (owning it up), Edi Rama bëri një salto tjetër mortale, në logjikën e shtetit, duke e çuar operacionin e së keqes në Fazën 2.
Ai doli dhe tha se do të jemi ne, pra shteti, që do të bëjmë publike rrogat e nënshtetasve të Republikës.
Opozita shfryu ajrin e denoncimeve, populli nuk u bë publik as kësaj here, të huajt futën veshët në lesh dhe jeta në regjimin e iranianit të parë dhe ajatollahut të radhës, shqiptarit të mirë, por të pështjelluar në leqet marramendëse të pushtetit, Edi Rama.
Ata që nuk e mbajnë frymën në gëzimin se Shqipëria, ky ‘varr perandorish’, u ndesh dhëmb për dhëmb me regjimin e urryer teokratik të Iranit, duhet të mendohen pak.
Iranianët bënë atë që bëjnë të gjitha fuqitë e huaja me kundërshtarët.
Ajo që ne nuk duhet të bëjmë, është të mos lejojmë që shqiptarët të sillen me ne si ajatollahë.
Kjo është detyra jonë, e të gjithëve.
Ajatollahët e ambasadës ikën dhe, sa më takon mua, kurrë mos u kthefshin, por ata nuk qenë iranianët e parë. Vetëm të radhës. Aspak të fundit.
Diskutime rreth kësaj post