Afro 16 mijë civilë janë zhvendosur për shkak të avancimit të forcave qeveritare siriane në zonat e kontrolluara prej rebelëve në qytetin e Aleppos. Shefi për çështjet humanitare në OKB, Stephen O’Brien thotë se mijëra të tjerë do të tentojnë të largohen, nëse luftimet do të vazhdojnë të intensifikohen gjatë ditëve në vijim.
Ai shprehu shqetësim të thellë në lidhje me fatin e tyre, ndërkohë që situatën aktuale e cilësoi si tejet alarmuese. Trupat ushtarake dhe milici të ndryshme kanë rimarrë nën kontroll thuajse një të tretën e gjysmës lindore të Aleppos që prej fundjavës, zonë e kontrolluar prej rebelëve anti-Assad.
Përgjatë natës, të paktën 18 persona u vranë pas sulmeve ajrore të forcave besnike të presidentit sirian, të ndërmarra në zonat që ende janë nën kontrollin e rebelëve, përfshi këtu 12 viktimat në distriktin Shaar, shumë pranë frontit të luftës në veri, siç bën të ditur organizmi monitorues me seli në Londër, Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut.
Nga sulmet ajrore në Bab al-Nairab humbën jetën 10 persona të tjerë mëngjesin e kësaj të marte, shtoi OSDNJ (SOHR). Një rrjet aktivistësh opozitarë tha se një grup i të zhvendosurve u shënjestruan gjithashtu, duke e çuar numrin e viktimave në 25.
Aleppo ka qenë dikur qyteti më i madh i Sirisë dhe qendra tregtare dhe industriale e vendit, përpara se të nisnin trazirat kundër presidentit Bashar al-Assad në vitin 2011. Prej kohësh ky qytet është i ndarë më dysh, me perëndimin e kontrolluar prej forcave qeveritare dhe lindjes së kontrolluar prej rebelëve.
Por gjatë vitit të fundit, trupat siriane kanë mundur të avancojnë më tej me ndihmën e milicive shiite të mbështetura nga Irani, si dhe të sulmeve ajrore ruse. Në fillim të shtatorit, ato rrethuan lindjen e qytetit, duke lënë të bllokuar rreth 275 mijë njerëz që jetonin aty, ndërsa një muaj më vonë nisën ofensivën madhore për të zmbrapsur rebelët.
Forcat qeveritare përshkallëzuan ofensivën e tyre dy javë më parë, ndërkohë që mundën të çanin edhe rrethimet e rebelëve ditën e shtunë. Nga e hëna e kësaj jave, ato kanë mundur të rikontrollojnë thuajse plotësisht pjesën veriore të enklavës së rebelëve.
“Situata është tejet e vështirë”, tha një mjek i identifikuar si Abu al-Abbas për “Reuters”. “Ekziston frika se këtu mund të bëhet një asgjësim kolektiv”.
O’Brien tha se “ishte tejet i shqetësuar në lidhje me fatin e civilëve, si pasojë e situatës alarmante dhe trishtuese në të cilën ndodhet Aleppo”. “Luftimet e intensifikuara në terren dhe bombardimet ajrore pa dallim gjatë ditëve të fundit në lindje të Aleppos kanë vrarë me dhjetëra civilë, – shtoi ai. – Aktualisht nuk ka më spitale funksionale, ndërkohë që edhe rezervat ushqimore për raste emergjence praktikisht kanë mbaruar”.
Diskutime rreth kësaj post