Pas bërjes publike të detajeve të marrëveshjes Rama-Basha, drejtuesit e partive të tjera, të majta dhe të djathta dhe një pjesë e analistëve nuk ndanë entuziazmin e kreut të mazhorancës dhe të kreut të opozitës.
Pa eufori kjo marrëveshje është pritur nga partitë e vogla, si nga republikani Fatmir Mediut ashtu edhe nga Skënder Gjinushi i social-demokratëve.
Në Top Story-n e Sokol Ballës dhe me një panel analistësh të ftuar, Mediu iu referua një prononcimi të kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizi për të dhënë mendimin e tij për këtë marrëveshje.
“Urojmë që të mos ndodhë ajo që tha zoti Idrizi, që tha se futëm PS dhe PD në zgjedhje dhe nxorrëm aktorët e tjerë politikë”, tha Mediu.
Për kreun e republikanëve, situata e re e krijuar lind nevojën për një analizë brenda opozitës.
“Basha na garantoi që ajo marrëdhënie e qëndrueshme e aktorëve të opozitës me PD, do të kishte reflektim nga pikëpamja elektorale”, u shpreh ai.
Skënder Gjinushi u tregua i drejtpërdrejtë kundër marrëveshjes. Ai thotë se pakti shkel Kodin Zgjedhor.
“Nuk është zgjidhur juridikisht. Është një marrëveshje politike që shkel kodin dhe një hile e madhe politike, pasi nuk mund të përjashtohen koalicionet. Kjo është një e drejtë universale dhe këtu flitet për një lojë politike që nuk shkon. Unë nuk e di se me çfarë baze Presidenti do të shtyjë zgjedhjet me 1 javë”, u shpreh ai.
“Kjo marrëveshje, përveç futjes së opozitës, nuk përmirëson gjë në procesin zgjedhor. Kjo marrëveshje ka dëmin që i bëhet të vegjëlve dhe shitblerja. Refuzimi arbitrar i koalicionit tani, do të thotë që pragu bëhet tani 8 përqind, praktikisht vdes të gjitha partitë e vogla”, vijoi Gjinushi./Top Channel
Diskutime rreth kësaj post