Ndërsa duhen edhe disa muaj nga mbërritja e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, partitë politike kanë ndezur motorët e fushatës dhe kanë zbritur në terren për të karikuar bazën.
Të gjithë janë optimistë se nga këto zgjedhje do të dalin fitues, ndërkohë që ka nisur të vihet re një rivaliteti i fortë. Të gjitha partitë politike që kanë shfaqur ambicien për të qenë pjesë e garës së 25 prillit jo vetëm që po përpiqen me të gjitha mënyrat për të dobësuar njëra-tjetrën, por ato duket se janë bërë të gjitha bashkë kundër Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sinjalin dhe festivalin e “luftës” kundër LSI e ka hapur vetë kryeministri Edi Rama. Gazeta ka mësuar se shefi i selisë rozë ka porositur deputetët e PS që të rrisin kontaktet me bazën dhe qytetarët, ndërsa ka kërkuar që të sulmojnë partinë e Kryemadhit në çdo front dhe në çdo kohë.
Në këtë kontekst, mësohet se zoti Rama ka udhëzuar vartësit e tij që të tërheqin sa më shumë militantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Partinë Socialiste dhe gjatë takimeve me qytetarët duhet t’ua bëjnë të qartë se LSI është një parti që do të shkrihet pas 25 prillit, pasi për mazhorancën ajo është një forcë politike e degraduar. Po ashtu, shefi i qeverisë ka porositur deputetët që të bëjnë një bilanc të saktë se sa vota do të marrë Partia Socialiste në zgjedhjet e ardhshme në nivel lagjeje dhe Organizate Socialiste, si të jenë aktivë në rrjetet sociale dhe media, duke qenë se shumica e fushatës zgjedhore do të bëhet online, për shkak të masave të pandemisë.
Pas Mediut edhe Shehi kundër LSI
Por “halë në sy” Lëvizjen Socialiste për Integrim nuk e ka vetëm Partia Socialiste, pasi ndaj saj rezerva, kritika dhe që nuk dëshirojnë që të bëjnë aleancë me të, e kanë shfaqur edhe aleatët e Partisë Demokratike. Pak ditë më parë ishte kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i cili i kërkoi indirekt Bashës që të dilte me dy lista, ku në një të jetë PD me aleatët e saj dhe në tjetrën LSI. Ndërkohë që ditën e djeshme një kërkesë të kësaj natyre e ka artikuluar edhe kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi. Ky i fundit gjatë një prononcimi për mediat u shpreh qartë se është kundër aleancës me partinë e Kryemadhit, ndërsa theksoi se ata duhet të jenë pjesë e listës së PD dhe LSI të jetë në listë më vete. “Unë do të preferoja të shkonim me PD.
LSI ka një target personazhesh të vetat, vota të vetat që janë të majta. Këtu po lufton edhe LSI. Territori im dhe i ynë është e djathta tradicionale. PD në përgjithësi ka qenë një parti e qendrës së djathtë. Dhe mirë ka bërë se një parti e madhe sot tenton të shkojë drejt qendrës. Ne nuk përjashtojmë asnjë gjë. Amalgama që e mban lidhur këtë opozitë është raporti me qeverisjen e Rilindjes, që po na lë edhe jashtë Europës. Kjo është ajo që na lidh. Vetë do të preferoja të ishim në krahun e djathtë. Çështja e listave është një temë që ne e kemi mbyllur. Kemi bërë një marrëveshje që kur kemi dalë nga Parlamenti.
Pikërisht për orientimet ideologjike. Një listë mund të jetë e qendrës së majtë, tjetra tenton më shumë djathtas. Ne nuk merremi më me çështje listash”, deklaroi ai. Më tej, duke argumentuar se përse Lëvizja Socialiste për Integrim nuk duhet të jetë pjesë e listës së PD dhe aleatët e saj tradicionalë, Shehi theksoi se partia e Kryemadhit është një forcë politike e majtë. “LSI është parti e madhe, e dyta pas PD-së. Ka targetin e vet. Unë do të shpresoja që të rriteshin, sidomos majtas sepse do të reformonin edhe pjesën majtas”, nënvizoi kreu i LZHK, Dashamir Shehi. Pra, të gjitha këto deklarata dhe zhvillime tregojnë qartë se të gjithë janë kundër Lëvizjes Socialiste për Integrim, pasi rivale si parti nuk e sheh vetëm Partia Socialiste, por edhe partitë e opozitës ku LSI bën pjesë.
Diskutime rreth kësaj post