“Foltorja” dhe aleatët që u udhëhoqën deri në momentin kur Sali Berisha u fut në arrest shtëpie, po shkërmoqen dhe po shkojnë drejt shkrirjes. Deputetë dhe anëtarë demokratë, po fillojnë të ikin nga ky grupim anti-amerikan. Po ashtu kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kryetari i Partisë së të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule, kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka dhe kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehu, si edhe Shpëtim Idrizi i PDIU, po japin sinjale “tradhtie” ndaj Sali Berishës. Disa prej tyre po kthejnë sytë nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Më hapur se asnjëherë më parë ndaj aleancës me grupin Berisha-Bardhi-Meta ka dalë PDIU. Ishte deputetja e kësaj partie Mesila Doda, e cila teksa foli për çështjen “Beleri” goditi fort Metën e Berishën dhe u shpreh se Beleri është një fenomen që nuk duhet të ekzistonte në politikën shqiptare, pasi sipas saj ai është vendosur aty qëllimisht për të shërbyer si një kalë troje. Sipas saj, Beleri është një person që ka shprehur hapur anti-shqiptarizmin e tij, ndërsa theksoi se atdheu është më i rëndësishëm se përballjet apo interesat politike. “Besoj që Beleri është një fenomen që nuk duhet të ekzistonte në politikën shqiptare. Më kujtohet kur PD dhe PS janë bërë bashkë që Himara të mos merrej nga një person me prirje nacionaliste greke. Beleri është vendosur aty qëllimisht për të shërbyer si një kalë troje. Atdheu është më i rëndësishëm se çdo interes apo përballje politike. Nuk mund të lejohet që një njeri që ka shprehur hapur anti-shqiptarizimin e tij të vendoset si kandidat politik. Shqipëria dhe Greqia mos harroni janë shtete armike zyrtarisht, janë në luftë. Nuk e di si mendohet të bëhet marrëveshja e ujërave kur akoma nuk kemi nënshkruar një traktat paqeje. Ky është hapi i parë që duhet të merret për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet mes dy vendeve”, u shpreh ajo.
Ja ç’po ndodh brenda opozitës
Nga ana tjetër, kreu i PAA, Agron Duka i ka dhënë një “shuplakë” të fortë Berishës dhe Nokës. Së fundmi, në një intervistë televizive, deputeti Duka theksoi se me Sali Berishën ka qene kundërshtar, për shkak të non gratës së këtij të fundit i mungon marrëdhënia me ndërkombëtarët. Duka u shpreh se forcat opozitare janë të të njëjtave ide, por mungesa e bashkimit bën që ato të mos realizohen. Duka tha se dhe me reformën zgjedhore të gjithë artikulojnë të njëjtën gjë, por ideja nuk zbatohet se mungon artikulimi. “Reforma zgjedhore, të gjithë artikulojmë të njëjtat gjëra, i kemi thënë të gjithë, unë me sa fuqi e mundësi kam pas. Pse nuk bashkohemi rreth këtyre ideve, kjo është ideja nëse nuk bashkohemi rreth ideve nuk i realizojmë dot. Federata nuk ndikohet negativisht edhe nga krijimi i forcave te reja, por sa më shumë të copëtohet opozita aq më keq është. Do ishte shumë e thjeshtë kjo punë nëse Basha e Berisha të mendonin më shumë për opozitën se për veten e tyre”, nënvizoi Duka. Edhe kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, akuzoi së fundmi deputetët e opozitës se janë pasuruar nën pushtetin e PS dhe kanë bërë pazare me Ramën. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, deputeti Shehi theksoi se përveç qeverisë edhe opozita nuk është plotësisht e papërlyer në korrupsion, por brenda saj ka dhe njerëz që nuk janë të përzierë në çështje korruptive. Sipas tij, problemi më i madh është se vetë shoqëria është korruptuar duke e normalizuar si pjesë të demokracisë korrupsionin.
Aleatët mbështesin idetë e Bashës
Disa nga aleatët që përkrahën pak kohë më parë Berishën, kanë dalë hapur krah Lulzim Bashës, duke pranuar dhe idenë ë tij për ndryshim të sistemit zgjedhore,teksa emergjencë shihet rikthimi i vendimmarrjes te qytetarët përmes listave të hapura. Këtë dhe disa propozime të tjera, Basha i ka kryefjalë të axhendës së tij politike. Mediu ka thënë se sistemi zgjedhor duhet ndryshuar sepse ende nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mediu thotë se ai vetë ka kërkuar pjesëmarrjen e Diasporës në votime. Edhe aleatët e tjerë janë kundër marrëveshjes Rama-Berisha që miratuan në vitin 2008. Kodi i ri Zgjedhor këtë herë e ka nxjerrë jashtë loje Sali Berishën dhe gjithë çetën e tij anti-amerikane, përfshi grupin e Gazment Bardhit. Pas shumë zvarritjesh kryeministri Edi Rama duket se është dorëzuar dhe ka pranuar që bashkë me Lulzim Bashën të çojnë përpara Reformën Zgjedhore, duke i dhënë kështu një “shuplakë” grupit të Bardhit dhe Berishës, të cilët po investohen për ta penguar e madje bllokuar atë. Mesa duket aleatët për të dhënë kontributin e tyre në kodin e ri zgjedhor, e vetmja rrugë që i mbetet është PD zyrtare e cila drejtohet nga Basha.
Diskutime rreth kësaj post