Albin Kurti, kandidati i vetëm në garën per kreun e Vetëvendosjes është rizgjedhur në krye të saj me gati 99% të votave. Më pak se 1 për qind e aktivistëve të kësaj force politike u deklaruan kundër themeluesit te saj dhe akoma më pak abstenuan.
Në njoftimin e Vetëvendosjes përcillen falenderimet për të gjithë aktivistët e përfshirë në menaxhimin dhe administrimin e zgjedhjeve të brendshme dhe përkushtimin e tyre në mbarëvajtjen e këtij procesi. Por të dorëhequrit nga partia nuk u benë pjesë e votimit.
Në mesin e atyre që zgjodhën të mos votojnë ishin Visar Ymeri, Dardan Molliqaj e Dardan Sejdiu, ndërsa Shpend Ahmeti e ushtroi të drejtën e tij vetëm pak minuta përpara se qendrat e votimit te mbylleshin.
Polemikat përsa i takon pjesëmarrjes, ashtu siç pritej, nuk munguan. Sipas ish-aktivistes, Teute Rrusta, Lëvizja Vetëvendosje ka rreth 30 mijë anëtarë, por në zgjedhje, nga sa pretendon ajo nuk morën pjesë as 30 për qind e tyre.
“Vonesa në publikimin e të dhënave ma konfirmoi shqetësimin e shumë aktivistëve që sot më telefononin. Sipas tyre, numri i daljes është nën 30%. Lufta e shpikur nuk mobilizon aktivistë politikë. Kjo është edhe një dëshmi më tepër që Lëvizja ka pasur organizatë”, është shprehur Rrusta.
Votimi që i kthen Albin Kurtit timonin e forcës politike së krijuar prej tij përpara 13 viteve, konfirmoi nga ana tjetër përçarjen e thellë në radhët e Vetëvendosjes, që kërcënon ta çojë atë drejt ndarjes, siç parashikojnë shumë analistë. Pikërisht grupi i atyre që munguan, i drejtuar nga Ymeri, besohet se do të jetë ai që do të formojë partinë e re.
Diskutime rreth kësaj post