Nën kryetari i Partisë Demokratike Luçiano Boçi ka reaguar pas shqetësimeve të maturantëve në lidhje me tezat e provimeve të maturës. Me anë të një postimi në Facebook, Boçi shkruan se alarmi për gjendjen e rëndë të vendit e kanë dhënë maturantët. Ai po ashtu ka shtuar se në 7 korrik do të protestojnë për të gjitha shtresat në vend, duke përmendur këtu dhe maturantët.
Postimi i Plotë:
“ALARMI QË VJEN NGA MATURANTËT Protesta e maturantëve është kambana më e fortë për situatën dramatike në të cilën është zhytur vendi. Padrejtësia e ngritur në sistem ka prekur dhe brezin ku ëndrra është gjithmonë më e fortë se realiteti. Por tashmë gjithçka është thyer. Sot realiteti është më i fortë se ëndrra dhe e tejkalon atë. Hidhtësia e tij ka mbytur çdo ëndërrim rinor, shpresë e perspektivë dhe tek mosha më optimiste dhe e sinqertë. Maturantët kanë vite që nëpërkëmben. Kalvari i tyre në monopatet e një arsimimi aspak cilësor, diskriminues dhe i mangët, përmbyllet me një garë-test mature fiktiv, banal, i metë dhe penalizues.
Në një sistem politik natyrshëm biznesi proteston ndaj qeverisë për masat arbitrare ndaj tij dhe kërkon largimin e saj. Qeveria duhet të reflektojë ose të ikë. Fermerët gjithashtu revoltohen me mungesën e mbështetjes nga qeveria dhe duhet ta kërkojnë atë me protesta, ose përndryshe ajo të largohet. Po kështu kërkesat për rritje mirëqenie, kundër shtrenjtimit, inflacionit, korrupsionit, krimit janë momente kulmore protestuese të një shoqërie që kërkon ndryshimin e drejtimit politik të qeverisjes. Edhe kur studentët e shohin që padrejtësia është bërë mal zemërohen me protestë. Ndryshimi i kërkuar prej tyre gjithmonë është revolucionar dhe ata kërkojnë përmbysje. Edhe në këtë rast një qeverisje serioze vetëlargohet.
Por ama, kur dalin në protestë 18-vjeçarët, është fundi, fundi fare. Sepse kjo tregon që drama tërësore ka kapur dhe atë segment të shoqërisë ku fle e ardhmja dhe shpresa. Padrejtësia ndaj tyre është kulmi i padrejtësisë që e bëjnë vetëm regjimet. Dhe ta dini: Protesta e tyre nuk është thjesht arsimore. Është tërësore. Atyre dhe familjeve të tyre sot i kanë rrëmbyer gjithçka. Edhe ëndrrën. Përfundimisht kësaj qeverisje i ka ardhur “ngordhja”! Në 7 Korrik do të protestojmë së bashku dhe për ATA, fëmijët tanë!”, ka shkruar ai.
Diskutime rreth kësaj post