Ujërat në skenën politike po trazohen sërish. Dy ditë më parë gjatë një konference me gazetarët, kryeministri Edi Rama i mbylli përgjithmonë derën e koalicionit Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe duket se kjo gjë e ka alarmuar jashtë mase Monika Kryemadhin, pasi e di që rrezikon seriozisht që të mos vijë më në pushtet.
Gjatë një interviste televizive ajo deklaroi se opozita nuk ka asgjë për të humbur, duke theksuar se po përgatiten për protesta guerile. Duke i paraprirë një pjesëmarrje të ulët në tubimet që do ndërmarrë opozita, Kryemadhi tha se nuk ka rëndësi sa njerëz do dalin në shesh, por sipas saj qëllimi është të ngrenë zërin kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama që po varfëron qytetarët.
“Nuk është çështja për të ardhur në pushtet, por që qytetarët të jenë të barabartë dhe të zgjedhin ata se kush do të jetë më i miri. Ajo që është e rëndësishme, është se Rama mund të bëjë planet e tij si të dojë dhe do të marrë përgjigjen e merituar. Opozita nuk ka çfarë humbet më. Jemi të organizuar në mënyrë “Guerrilsa”, nuk është çështje se sa njerëz kemi me vete, por varfëria dhe pushtimi i saj ndaj familjeve shqiptare nga Edi Rama është i jashtëzakonshëm dhe në gjithë Shqipërinë. E vetmja mënyrë për t’ju përgjigjur është reagimi pa kompromis ndaj kësaj klike. Në këtë moment krize që e gjithë bota i ka hallet e veta, ky zotëria gjen rastin dhe dërgon letra në dyert e institucioneve. Provokon një grup njerëzish për të larguar vëmendjen nga varfëria”, tha Kryemadhi.
Ndërkombëtarët
Më tej, kryetarja e LSI reagoi me tone të ashpra edhe në drejtim të faktorit ndërkombëtar. Sipas saj ata nuk po e ushtrojnë si duhet funksionin e tij, duke shtuar se edhe presidentit Ilir Meta i ka ardhur në majë të hundës me ambasadorët e akredituar në vendin tonë, duke theksuar se atij i ka humbur durimi dhe qetësia.
“Ata të huajt nuk paguajnë asnjë taksë këtu në Shqipëri, përkundrazi fitojnë më shumë. Presidenti ka diskursin e vet politik dhe diplomatik. Monika Kryemadhi është politikania e parë që ka kundërshtuar mënyrën e njëanshme të ambasadorëve në formimin e institucioneve. Nëse presidenti mban një qëndrim të tillë mund ta pyesni, por me sa duket i ka ardhur edhe atij në majë të hundës, sepse është shumë i qetë dhe diplomat, por kur shpërthen Ilir Meta do të thotë se i ka ardhur në majë të hundës”, tha Kryemadhi.
Reforma zgjedhore
Ndërsa duke folur për tryezën e reformës zgjedhore, Kryemadhi tha se do zbatojnë 5 kushtet e OSBE, duke theksuar se mazhoranca po bën show mediatik me këtë çështje.
“Në reformën zgjedhore janë 5 kushtet e OSBE-ODHIR që duhet të zbatohen për integrimin. Dje Rama tha se nuk pyes për konsensus politik, por do ta votoj në Parlament. Edi Rama e dërguaka Damian Gjiknurin për të humbur kohë, për t’ju dhënë ushqim mediave. Ne sot flasim 10-15 minuta për reformën zgjedhore në vend që të flasim për dëmet e tërmetit, për familjet në nevojë, për ekonominë. Nëse kjo qeveri nuk pyet për këtë ofrim qoftë nga ndërkombëtarët dhe BE, sepse ndërkombëtarët nuk janë një person. E di që atyre nuk ju dhemb zemra që nuk po bëhen zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri. Nuk do të lejoj kurrë që një ambasador i huaj qoftë ky për interes ekonomik apo edhe moral me qeverinë shqiptare, sepse unë nuk kam nevojë për “Land Rovera” në bulevard por për ushqime në familjet e varfra”, tha Kryemadhi.
Diskutime rreth kësaj post