Nuk qenë pak artistët që u tërhoqën nga protesta kundër shkatërrimit të teatrit.
Kur ikën, thanë se e u bindën nga premtimi se ‘asnjë centimetër nga trualli i teatrit nuk do të preket nga kullat’, por vështirë ta besojë kush se ndonjë prej tyre do të shkojë t’i vërë metrin teatrit të ri e aq më tepër kullave, që do të ngrejë Rama me Fusha sh.p.k.
Pikëpyetjet janë të mëdha.
Çfarë i rrëzoi ato burra që betoheshin se do të binin bashkë me godinën e Teatrit Kombëtar?
Si ia doli Erion Veliaj t’i bindë, ashtu një nga një me takime në zyrën e tij?
Çfarë mënyrash përdori kryebashkiaku për të shuar protestën e aktorëve?
Një mendim duket se e ka Naun Shundi, aktori i Teatrit Kombëtar ende mbetet kundër shembjes së Teatrit.
Shundi flet për korruptim, kur pyetet për kolegët që e drodhën. Në një intervistë me gazetaren Julia Vrapi në gazetën ‘Sot’, bie në sy se pyetjen:
Nëse do kishit takim me kryebashkiakun, si mendoni se do ishte reagimi juaj?, aktori Naun Shundi e merr apriori si ofertë për t’u korruptuar dhe kujton kolegët që ‘ndryshuan mendim’ për teatrin.
‘Për ato çka unë mendoj dhe them mbaj përgjegjësi personale. Mendimet dhe pikëpamjet e mia ja gati t’ia them sy më sy, jo vetëm Veliajt, por edhe kryeministrit dhe vetë presidentit.
Unë ndjehem rehat me jetën time të varfër dhe nuk më tundon asnjë ofertë fitimprurëse, për arsyen e thjeshtë, sepse unë jam ky që jam. Nuk bëj dot ndryshe. Mos u përpiqni të më korruptoni.
Nuk korruptohem për asnjë gjë! Në varfërinë time, dua të jem ky që jam. Nuk i vë faj atyre që devijuan nga ato çka kishin thënë dhe deklaruar. Kush e di si e kanë pasur hallin?! Nuk i dënoj por nuk jam me ta. Fali o zot se nuk di çka bëjnë’, thotë Naun Shundi.
Kjo është deklarata e parë mes protagonistëve të protestës që jep një variant tjetër nga ai i Bujar Asqeriut të dytë, që zbuloi mrekullinë e demokracisë, të drejtën e njeriut për të ndryshuar mendim.
Diskutime rreth kësaj post