Kreu i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka reaguar për arrestimet e sotme të Prokurorisë Speciale, ku u prangosën pesë zyrtarë të lidhur me inceneratorin e Fierit dhe po kërkohen edhe gjashtë të tjerë.
Deputeti demokrat thotë se hetimet dhe vendimet e derimëtanishme janë të pamjaftueshme dhe sipërfaqësore, pasi PD ka denoncuar me fakte konkrete aktet korruptive të inceneratorëve, ministrat dhe kryebashkiakët. Sipas tij arrestimet e sotme janë vetëm një pikë në oqeanin e korrupsionit të inceneratorëve ku janë të zhytur ministra dhe kryeministri Edi Rama.
“Hetimet dhe vendimet e derimëtanishme të Spak janë të pamjaftueshme dhe sipërfaqësore. PD ka denoncuar me fakte konkrete aktet korruptive të inceneratorëve, ministrat dhe kryetarët e bashkive të përfshirë në këtë aferë. Sikundër është e qartë për të gjithë, përfshirë dhe insititucionet e heshtura të drejtësisë se arrestimet e sotme janë vetëm një pikë në oqeanin e korrupsionit të inceneratorëve ku janë të zhytur ministra dhe kryeministri. Pa u ndëshkuar përgjegjësit e vërtetë, besimi i qytetarëve tek drejtësia do mbetet i ulët. Vetëm çuarja deri në fund e me seriozitet i hetimeve për këtë aferë do rrisë besimin se Spak do të mund të mbrojë interesin e qytetarëve përballë zyrtarëve të lartë dhe të korruptuar!”, shkruan Alibeaj.
Diskutime rreth kësaj post