Bashkia e Tiranës ka zhvilluar një aksion pastrimi në të 24-ta njësitë administrative të kryeqytetit, duke nisur prej mëngjesit nga Kombinati, ku u pastruan varrezat e Sharrës, për të vijuar në të gjithë territorin e Tiranës.
Kryebashkiaku Erion Veliaj iu bashkua aksionit të pastrimit në Kombinat, e më pas kaloi në Njësinë Administrative 8, në zonën e njohur si “Serat”, ku edhe falënderoi qytetarët që vendosën t’i bashkohen aksionit të pastrimit.
“Siç kemi një qytet të të gjallëve, kemi edhe një qytet të atyre që s’janë më. Kjo është simbolika pse aksionin e pastrimit e filluam nga varrezat e Tiranës, që sot janë shumë herë më të pastra. Në varrezat e Sharrës do të vazhdojmë me një investim, si në Tufinë, për të pasur një hapësirë të këndshme, ku qytetarët të kenë kohë për të kujtuar të afërmit e tyre, në një ambient higjienik dhe shumë herë më estetik sesa ai që kemi sot”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku vlerësoi edhe punën e bërë deri më tani nga ndërmarrjet e Bashkisë së Tiranës, duke theksuar se Tirana aktuale është shumë herë më e pastër nga ajo e një viti më parë.
“Sot Tirana është shumë më e pastër dhe besoj se të gjithë e pranojnë këtë, por kemi mundësi për më mirë. Më jep shumë shpresë fakti se ka një brez të rinj qytetarësh, të cilët çështjen e pastrimit e kanë shumë për zemër edhe me shpresë do të sjellin një transformim të një gjenerate, e cila mendon më me kujdes për natyrën”, tha ai.
Sipas Veliajt, në dhjetor do të nisë punën edhe kompania publike, një bashkëpunim mes Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Veronës, për pastrimin e kryeqytetit, ndërkohë që janë porositur edhe mjete të tjera me qëllim përmirësimin e kushteve.
“Në muajin dhjetor kompania publike, bashkë me Bashkinë e Veronës, do të fillojë operimin në Tiranë. Kemi porositur edhe disa mijëra kosha dhe disa dhjetëra mjete të tjera. Nuk po kursejmë asgjë, që të administrojmë me sukses ato që ka në dorë bashkia. Ashtu si në një familje nuk është detyra vetëm e nënës nikoqire që të pastrojë, por secili duhet të kontribuojë”, tha Veliaj
Diskutime rreth kësaj post