Një aksident i rëndë në rrugë i ka marrë jetën babait me 3 fëmijët e tij, pas përplasjes së 2 automjeteve në aksin Shkodër-Velipojë, mbrëmjen e së dielës. Mjeti Alfa Romeo, ku udhëtonte familja me mbiemrin Preka, babai, nëna dhe tre fëmijët e tyre u përplas me një fuoristradë, ku udhëtonin 2 persona të tjerë.
Përplasja ishte fatale për babain 40-vjeçar, Edmond Preka, djalin më pak se një vjeç dhe dy vajzat e tyre 5 dhe 10 vjeç.
Në gjendje kritike për jetën nga ky aksident është nëna, 36 vjeç, ndërsa të plagosur kanë mbetur dy personat që ndodheshin në mjetin tjetër.
Të plagosurit u dërguan në urgjencën e spitalit të Shkodrës, ku mjekët po luftojnë t’i mbajnë në jetë.
Rrethanat e këtij aksidenti tragjik janë duke u hetuar nga policia dhe grupi i ekspertëve.
Aksi ku ka ndodhur aksidenti, pak kilometra larg plazhit të Velipojës është një rrugë e drejtë, ku makinat ecin me shpejtësi tej normave. Çdo vit, sidomos sezonin e verës, kjo pjesë rruge provokon aksidente të rënda.
Diskutime rreth kësaj post