Gjykata e Shkallës së Parë në Berat ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për 20-vjeçarin Emilio Zema, që aksidentoi me motor tre ditë më parë turisten nga Nepali, shtetasen S.Th,33-vjeçe.
Masa e sigurisë është kryer në ambientet e Spitalit Rajonal Berat, ku Emilio Zema është i shtruar dhe nën kujdesin e mjekëve, pas plagëve të marra nga aksidenti.
20-vjeçari ka rezultuar se ishte duke qarkulluar me shpejtësi jashtë normave të lejuara, ndërsa turistja ka rezultuar se i ka prerë rrugën motorit në përpjekje për të kaluar në anën tjetër të rrugës, pa qenë në vijat e bardha.
Prokurori Eni Culli i ka kërkuar gjykatës vlerësimin të ligjshëm të arrestimit të tij për veprën penale “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie”.
Pasi ka dëgjuar organin e akuzës si dhe pretendimet e avokatit mbrojtës të 20-vjeçarit,gjyqtarja Lumturi Zhupa, ka vlerësuar “të ligjshëm” arrestimin e shtetasit Emilio Zema dhe ka caktuar për të masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Aksidenti ndodhi tre ditë më parë në qendër të qytetit, tek Ura Varur. Përplasja ka qenë aq e fortë saqë turistja S.Th,33-vjeçe dhe drejtuesi i motorit, Emilio Zema,20-vjeç, janë përplasur në asfalt, të plagosur rëndë.
20-vjeçari ndodhet ende i shtruar dhe nën kujdesin e mjekëve për shkak të plagëve të shumta që ka marrë, ndërkohë që turistja 33-vjeçe S.Th,pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore, është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Diskutime rreth kësaj post