Një aksident i rëndë automobilistik i mori jetën një gruaje shqiptare, teksa makina që udhëtonte e tipit BMW dhe drejtohej nga burri i saj u përplas me një kamion, në Pieve San Giacomo, në provincën e Cremona të Italisë.
Viktima është Amanita Sula, lindur më 1982, gruaja e komandatit të njësisë investigative të karabinierëve Claudio de Leporini.
Sipas mediave italiane, aksidenti ndodhi rreth orës 10 e gjysmë të mëngjesit. Makina me të cilën udhëtonte çifti u përplas me një kamion Scania, e për pasojë automjeti i tyre doli nga rruga dhe përfundoi në kanal.
Menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e emergjencës dhe ato zjarrfikëse, por fatkeqësisht për shqiptaren 35 vjeçare nuk mund të bëhej asgjë, pasi kishte humbur jetën në vendin e ngjarjes.
Ndërsa bashkëshorti i saj, gjithashtu 35-vjeç u transportua me urgjencë në spital, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Aksidenti ndodhi në kryqëzimin i cilësuar si “i mallkuar” në Gozzo, ku kanë ndodhur edhe më parë përplasje fatale.
De Leporini njihet si një nga oficerët më të mirë të karabinierëve, i transferuar në Cremona rreth një vit më parë, pasi për 6 vjet kishte mbajtur pozicionin e kapitenit të karabinierëve në Sondrio. Çifti mësohet se ka edhe një vajzë 7 -vjeçe.
Diskutime rreth kësaj post