“Ju shkruaj sepse shpesh herë jua kam shumë zili kohën që kaloni me të. Sepse e shihni të matet me gjërat e vështira dhe të mrekullohet përpara një zbulimi të vockël”
Pikësëpari, faleminderit, sepse fëmija im kthehet në shtëpi me një sërë gjërash për të treguar.
Pastaj dua t’ju kërkoj që ta dëgjoni, edhe atëherë kur duket sikur nuk ka një gjë të saktë për të thënë dhe po përpiqet të gjejë fjalët e duhura. Dëgjojeni sepse, nëse keni durim ta bëni, në mënyrën e vet do të dijë t’ju bëjë të kuptoni se çfarë mendon.
Ka një gjë që e bën të lumtur, shumë të lumtur. Ajo quhet “imagjinatë”. Bëjeni të studiojë, mësojini si llogaritet sipërfaqja e një trekëndëshi, çfarë është fotosinteza dhe përse disa fjalë në shumës mbarojnë me “e”, por lëreni edhe të imagjinojë se çfarë do të bëjë kur të rritet.
E di, një ditë thotë se dëshiron të bëhet këngëtar i diplomuar në zoologji, ditën tjetër peshkatar që nuk do hajë kurrë peshqit që kap. E di, kështu është. Imagjinon pa e vrarë mendjen që i duhet të imagjinojë gjithmonë të njëjtën gjë.
Ka një gjë që, nuk e kapërdin dot. Quhet “poshtërim”. Qortojeni, vendosini një notë në fletoren e shtëpisë, por mos shkoni përtej kësaj. Nuk vlen.
Një gjë e fundit, e vockël. Bëjeni të ndjehet special, edhe me koston që të ekzagjeroni pak. Do të vijë një moment kur do ia masin të gjithë gjërat që bën, dhe nuk do të ketë më vend për gjysmë gjëra. Por tani, është fëmijë dhe po përpiqet të kuptojë kush është, të “masë” botën, të rrëzohet dhe të ringrihet në këmbë. Ka kohë për vlerësime objektive, një “bravo” e bën zemrën mal.
P. S. Do të doja t’ju lutesha edhe të mos i bërtisni nëse shkruan keq, dhe bën vizatime që ngjajnë me shkarravina. Nuk jua thotë, por mbetet keq.
Kaq. (Dhe punë të mbarë).
Një nënë
Diskutime rreth kësaj post