Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, ka dhënë dje lajmin e mirë për familjet në Shijak të mbetura të pastreha si pasojë e tërmetit në 2019.
Ditën e djeshme ai ka zhvilluar një takim në kantierin që po rindërtohen banesat e reja në këtë zonë dhe ka bërë me dije sa ka nisur puna për ndërtimin e 20 pallateve. Sipas Ahmetajt, brenda këtij viti do të jenë përfunduar këto pallate ku do të përfitojnë shtëpi të re 800 familje të Bashkisë Shijak.
Ministri tha se, këto pallate do të ndërtohen sipas shembujve europianë me ambiente publike të mira, vendparkime dhe me sipërfaqe akomoduese të mjaftueshme për çdo familje, sipas nevojës. Ahmetaj deklaroi i bindur se, puna në këto kantiere do të vijojë me tre turne që familjet të akomodohen në shtëpitë e reja deri në dhjetor.
“Kjo është lagjja e re Lugina, një nga zonat më të dëmtuara, ku po ndërtohen 21 pallate me 6-7 kate, 125 vendparkime nëntokësore e 150 mbitokësore, ndërsa ka përfunduar pjesa kryesore e infrastrukturës publike. Në fund të vitit do ta kemi dorëzuar dhe kantierin e Shijakut dhe qytetarët do të futen në banesat e tyre. Duhet të punohet me orare të zgjatuar dhe të shfrytëzohet e gjithë koha e thatë, që të kemi mundësi që të futen shumë familje”, – u shpreh ai.
Pak më parë Ahmetaj ishte për një vizitë në kantierin e rindërtimit në Thumanë. Edhe për këtë zonë, ministri tregoi se do të përfundojnë brenda 4 muajsh 155 banesa individuale dhe 278 apartamente, si dhe dy objekte arsimore.
“Thumana e rikrijuar pas tërmetit, brenda 4 muajsh do të jetë shndërruar në një qytezë të re fantastike, me 278 apartamente në 14 pallate, 155 banesa individuale, infrastrukturë moderne e ambiente sportive si dhe shkollën e kopshtin “Ramazan Jangozi”, por edhe qendër komunitare në shërbim të banorëve. Po bëhet një punë mbresëlënëse dhe me ritëm të përshpejtuar, për përfundimin e plotë të ndërtimit të objekteve”, – u shpreh ai.
Diskutime rreth kësaj post