Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i ftuar në Forumet UET, bëri një prezantim të buxhetit të ri të qeverisë; mbështetje reformave, rritje ekonomike 3.8 %, rritje pagash dhe pensionesh dhe investime publike
Buxheti i ri i qeverisë për vitin 2017 u prezantua sot në një auditor me pedagogë dhe studentë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit Europian të Tiranës nga Ministri i Financave, Arben Ahmetaj. I ftuar në Forumet UET, Ahmetaj, bëri një tablo të buxhetit të ri duke e cilësuar si një buxhet të konsumit të qytetarëve. Ai tha se ky buxhet nuk është elektoral dhe pse jemi në nëj vit elektoral dhe kjo është zgjidhur me anë të një kufizimi në ligjin organik. Buxheti së pari mbështet reformat e nisura në 3 vitet e para të qeverisjes që nga reforma në Drejtësi, ajo në Shëndetësi, në Pensione, etj. si dhe parashikon sipas ministrit, ulje të borxhit publik dhe një rritje ekonomike deri në 3.8 për qind. Ahmetaj bëri të qartë se s’do të ketë ulje taksash, por do të synohet mbledhja e tyre në një nivel më të lartë.
Buxheti i qytetarëve
Ahmetaj theksoi se ky buxhet është i përgjegjshëm dhe serioz dhe reflekton qeverisjen e përgjegjshme. Kësisoj ai do të ndikojë në zbatimin e reformave që janë në proces dhe i përgjigjet garancisë për të realizuar këto reforma në mbështetjen e domosdoshme financiare dhe institucionale.
“Dua ta lidh buxhetin e shtetit, jo thjesht si një përgjegjësi vetmitare e qeverisë, por si një instrument jo vetëm financiar por politikash të një qeverie si një nga aktorët ekonomikë të vendit dhe jo i vetmi e më i madhi. Përgjeshmëria apo papërgjeshmëria e një qeveria në finale duket tek buxheti i shtetit. Nëpërmjet buxhetit ne kemi mundësinë të prekim jetën e çdo qytetari, sipërmarrjes apo vendit në tërësi dhe buxheti duhet mbi të gjitha të funksionojë si furnizues i rritjes ekonomike. Tek qeveria e përgjegjshme të gjitha politikat fiskale pra për të ardhuarat, politikat financiare që financojnë reformat apo aksione të ndryshme të qeverisë, të gjitha këto krijojnë ekuilibra në treg. Si studentë dhe pedagogë do të doja t’ju sfidoja miqësisht që të analizoni buxhetin e shteteit dhe të më thoni që keni parë një buxhet më të mirë se ky. Këtu bëhët fjalë jo në aspektin e shifrave por në aspektin e ekuilibrave, jo vetëm makroekonomikë, që krijon buxheti”.
Jo buxhet elektoral
Ministri Ahmetaj tha se për herë të parë në 25 vite qeveria nuk bën nëj buxhet elektoral edhe pse ndodhemi në një vit elektoral. “Në të gjitha vitet elektorale parlamentare është luajtur me financat publike qoftë kur ka qenë e majta dikur, qoftë kur ka qenë e djathta. Është viti i parë 2017 kur ulet borxhi publik. Ne kemi futur në ligjin organik të buxhetit një kufizim për qeverinë dhe e kemi bërë këtë ndryshim në ligj në Qershor të 2016. Kufizimi është që në një vit elektoral parlamentare, asnjë qeveri nuk mundet të shpenzojë më shumë se 55% të defiçitit anual të lejuar me ligj, në 6 mujorin e parë”, tha ai. Sipas ministrit, Buxheti reflekton ciklin tejet pozitiv të ekonomisë shqiptare, ka një trajektore të rëndësishme rritje. “Ne e kemi marrë në 2013 me një rritje ekonomike 1% dhe sot është 3.4-3.5%, vitin tjetër është parashikuar 3.8%. Po ti referohemi parashikimit të fundi të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që ka të bëjë me këndvështimin e FMN-së mbi rajonin, Shqipëria do të jetë vendi me rritjen më të lartë në rajon dhe i dyti nga vendet ish komuniste pas Rumanisë me 3.8”.Ministri tha se kjo rritje akoma nuk është në masën që të ndihet drejtpërdrejt tek qytetarët, por do të nisë të japë shenjat e para së shpejti.
Marrëdhënia me FMN-në
I pyetur se si do të vazhdojë marrëdhënia mes qeverisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar Ministri i Financave bëri të ditur se kjo marrëdhënie do të ndryshojë, nuk do të jetë më e detyrueshme, por vetëm konsultuese. “Kur kemi ardhur fillimisht në qeverisje unë kam mbrojtur fort tezën se na duhej një rikthim i FMN-së dhe kështu lidhëm një marrëveshje detyruese me FMN-në, por pas kaq vitesh besoj se nuk ka më nevojë për një marrëveshje detyruese, por do të vazhdojë si një marrëveshje konsultuese, këshilluese”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post