Artisti i njohur dhe drejtuesi i spektaklit të humorit “Al Pazar” në Vizion Plus, Agron Llakaj i ka dërguar kreut të shtetit, Buajr Nishani një mesazh publik për dekorimin e disa personaliteteve të artit.
Aktori Agron Llakaj vlerëson interesin e Presidentit për artin me dekorimin e mjaft artistëve, por i kujton se mes shumë emrave të dekoruar është “harruar” një personalitet i njohur i humorit shqiptar.
“Zoti President, ndoshta nuk është detyra Juaj, por në respekt të shumë e shumë emrave të vlerësuar nga Ju… ,me lejoni t’ju tërheq vëmendjen për një emër shumë të njohur në vite e vite në Shqipëri dhe kudo ku punojnë shqiptarë, anë e mbanë botës. Ai është humoristi Behar Mera”,- shkruan Agron Llakaj në komentin e tij Facebook.
Aktori i njohur i humorit shprehet se një artist si Behar Mera e ka marrë prej kohësh vlerësimin dhe çdo ‘dekoratë’ të publikut, por do të ishte në nderin e institucioneve shqiptare të mos anashkalohen vlerat e vërteta të arit shqiptar.
Postimi i plotë i Agron Llakaj në Facebook:
“I nderuar Zoti President i Republikës!
Shkëlqesi Bujar Nishani! Lexova me kënaqësi vlerësimin Tuaj në largim, për shume emra të mëdhenj të skenës, ekranit por jo vetëm. Tituj që shprehin vlerësimin për punën e çdo kujt, kontributin dhe investimin njerëzor dhe profesional në shërbim të publikut, për ta bërë këtë jetë të zymtë me më shumë besim, se gjërat e bukura në jetë nuk ndodhen vetëm në art. Art i cili udhëheq shoqërinë, emancipon, edukon dhe argëton.
Zoti President, ndoshta nuk është detyra Juaj, por në respekt të shumë e shumë emrave të vlerësuar nga Ju… ,me lejoni t’ju tërheq vëmendjen për një emër shumë të njohur në vite e vite në Shqipëri dhe kudo ku punojnë shqiptarë, anë e mbanë botës. Ai është humoristi Behar Mera…,me dhjetëra vite në skenë, qindra personazhe dhe karaktere që sot i keni dhe i gjeni rëndomë në youtube me shumë e shumë klikime. Një personalitet i padiskutueshëm i humorit, një partner po kaq dinjitoz…, nuk ka njeri të mos ketë marr buzëqeshjen dhe të qeshurën nga loja e Behar Merës. Prej 5 vite në Al Pazar show, ka prodhuar dhe punuar sa për 100 vite së bashku të një trupe profesioniste estrade.
Zoti President, si artist i humorit, por edhe si partner dhe mik i Behar Merës….ju sjell thjesht në vëmendje, vlerësimi për Beharin është vlerësim edhe për Ju! Natyrisht, Ai është Mjeshtër i Madh, se e ka fituar me lojën dhe interpretimet e tij, ka dashurinë e publikut që është rritur dhe e ka rritur gjatë gjithë karrierës së tij
Zoti President, duke ju uruar punë të mbarë, por edhe rrugë të mbarë, mbetem në pritje të korrigjimit të kësaj ‘harrese’.
Me respekt dhe konsiderate te larte!Agron Llakaj”.
KJ
Diskutime rreth kësaj post