Tekniku italian ka marrë detyrën e re: I kam synimet e qarta. Shpresoj të mbeten gjatë tek Partizani. Do të ndërhyjmë në merkato. Kusht titulli.
“Mirëdita”… E ka nisur me një përshëndetje shqip, trajneri i ri, Andrea Agostineli aventurën tij shqiptare. Italiani është prezantuar zyrtarisht në krye të klubit të Partizanit, ditën e djeshme në zyrat e klubit, rreth orës 11:00. Me një interesim shumë të madh, 58-vjeçari e ka marrë drejtimin e Partizanit duke premtuar për një epokë të re tek “demat” dhe ç’është më e rëndësishme titullin kampion.
“Në jetën time së fundi kam kaluar një fatkeqësi, pasi përpara 1 viti e gjysmë është ndarë nga jeta djali im, tragjedia më e madhe që mund t’i ndodh një prindi, ndaj dhe dua të ia dedikoj këtë eksperiencë djalit tim. Vij në këtë klub me emër me një entuziazëm të madh, për të vënë në dispozicion të presidentit dhe të gjithë qytetit eksperiencën time që kam përjetuar në Itali si lojtar dhe trajner. Është si të ishte dita ime e parë e shkollës kam një motiv më shumë për të fituar diçka të rëndësishme me këtë skuadër të madhe. Sigurisht ditën e parë premtimet janë prezente dhe çdo gjë është shumë e bukur de duket pa vështirësi. E duhet të respektojmë të gjitha skuadrat e kampionatit, por një gjë është e sigurt që çdo ndeshje do të jetë një 90 minutësh jete, për të arritur objektivin madhor fitimin e titullit kampion”, shprehet në fjalën hyrëse Agostineli.
– Do të sjellësh titullin kampion tek Partizani?
– Shpresoj të sjell titullin kampion. Kam ardhur këtu për këtë gjë, nuk kam ardhur thjesht për të përjetuar një eksperiencë. E kuptoj që të gjithë dëshirojnë të fitojnë dhe askush nuk kërkon të humbasë, por është e vërtet se për mua nëse kërkon të arrish diçka mund t’ia dalësh me besim në vetvete. I respektoj të gjithë, pasi futbolli më ka treguar përgjatë 40 viteve në Itali ku kam kaluar 3 gjenerata se është i paparashikueshëm, e di çdo të thotë të fitosh apo të humbasësh dhe fjalët i merr era. E rëndësishme në futboll është dëshira që skuadra do të dhuroj në fushë.
– Sa e njeh skuadrën dhe cili është objektivi që i ka vënë klubi?
– Ekipin nuk mund ta njoh si çdo skuadër tjetër italiane sepse deri tani kam jetuar ne Itali. Jam mjaftuar me rezultatet që ajo ka arritur në gjysmën e parë të kampionatit, do të vëzhgoj çdo ndeshje në dvd deri në rifillim të kampionatit. Në dijeni time është një skuadër shumë kompetitive me pak difekte, por presidenti më ka kërkuar vetëm një gjë dhe kjo është arsyeja për të cilën gjendem këtu, të fitoj kampionatin.
– Të këshilloj Tare apo De Biazi?
– Xhani De Biazi është një mik i imi që kemi biseduar vazhdimisht me njëri-tjetrin. E njoh që nga një jetë. Tramezani ka qenë një lojtar i imi në dy ekipe. Me Taren kam biseduar në Romë dhe e falënderoj publikisht ashtu si Tramezanin dhe De Biazin. Kanë qenë gjithmonë shumë dashamirës me mua dhe për kurajën që më kanë dhënë.
– Çfarë ndryshimesh do të ketë Partizani në stafin teknik, por edhe në ekip me ardhjen e Agostinelit?
– Stafi është i formuar. Do të jetë Dalipi që është zëvendëstrajner me mua dhe do të më ndihmojë shumë me punën time këtu. Do të jetë edhe Kristiano Xhanoti që ka qenë dhe do të jetë përgatitës atletik. I vetmi i ri këtu do të jetë Mario Kapaçe që do të marrë rolin e trajnerit të portierit një profesionist i vërtetë me një eksperiencë të madhe në Europë. Kemi një staf me shumë aftësi teknike dhe humane dhe kjo është shumë e rëndësishme për një staf.
– Keni biseduar për merkaton?
– Sot është dita e prezantimit dhe të flasësh për merkaton, lojtarët dhe taktiken nuk më duket e rastit. Nga sot do të mundohem të njoh shumë shpejt ato që kam në dispozicion për momentin. Nuk dua të tregohem hipokrit dhe të them se nuk kemi biseduar për ta përforcuar këtë skuadër. Por, për momentin është e drejtë që të shoh ato që kam në dispozicion.
– Presidenti kërkon një Partizan më sulmues. A është i gatshëm Agostineli t’i plotësojë një dëshirë të tillë?
– E sigurt është të shikojmë edhe njëherë se çfarë lojtarësh kam në dispozicion. Dëshira ime është të kem një ekip të kompletuar në të gjitha repartet. Dua të kem lojtar që të jenë në gjendje të bëjnë Partizanin një ekip sulmues.
– Kush ju tremb më shumë, Skënderbeu, gjuha apo ambient i ri?
– Jam i ndërgjegjshëm për ambientin e ri pasi nuk e njoh aspak. Respektoj Skënderbeun dhe skuadrën e fundit në renditje sepse futbolli ka treguar se mund të fitosh me ekipin kryesues dhe të humbasësh me ekipin e fundit dhe nuk ke arritur asgjë. Skënderbeu është skuadër e mirë, por siç ata na parakaluan ne, besoj që edhe ne mund t’ia marrim vendin e parë deri në fund të kampionatit.
– Agostineli i ndërron shpesh ekipet këtu je për një rrugë të gjatë, apo do largohesh siç ke bërë në ekipet e tjera?
– Momentalisht kam arritur marrëveshje deri në fund te sezonit, por nuk përjashtohet fakti se nëse gjërat ecin pozitivisht do të vijoj të mbetem gjatë në drejtimin e Partizanit, këtu nuk kam ardhur për pushime. Dua t’i qëndroj besnik projektit të Presidentit pasi kjo skuadër është shumë e njohur edhe ne Itali. Partizani është një “piacë” e mirë për të gjithë.
– Është folur shumë për Taren dhe De Biazin, por drejtori Dervishi sa ka ndikuar për ardhjen tuaj tek Partizani?
– Nëse ka një person që ka insistuar shumë që unë të vij këtu ai është Drejtori Dervishi, kemi biseduar gjatë së bashku është një njohje ime e vjetër në kohën kur drejtoja skuadrën e Varezes dhe ai ishte pjesë e shoqërisë. Ai më ka njohur e di si punoj. Dervishi me punën që po bën do të ketë një ndikim të madh në rezultatet e skuadrës dhe ka mundësinë të bëj një karrierë të gjatë dhe të suksesshme.
– E keni kuptuar se sa vështirë është të jesh trajnerit i Partizanit, edhe pse vjen nga Italia?
– E thashë edhe më lart, kush bën këtë profesion merr përgjegjësi të mëdha. Dua t’iu them që kush ka trajnuar në Napoli mund të trajnojë kudo. Kjo është një piacë mjaft e rëndësishme dhe unë jam i gatshëm të marr përgjegjësitë e mia.
Kontrata
Trajneri i ri i Partizanit Andrea Agostineli do të nënshkruajë një kontratë 6 + 1. Kontrata aktuale është deri në muajin qershor, por nëse skuadra fiton titullin kampion automatikisht rinovohet edhe për një vit tjetër me dyfishin e pagës. Italiani do të përfitojë rreth 7000 mijë euro në muaj.
Diskutime rreth kësaj post