Agjenti i Cristiano Ronaldos, Jorge Mendes, e ka pranuar se sulmuesi portugez mund ta përfundojë karrierën e tij në Juventus, përderisa e ka lavdëruar futbollistin të cilin e konsideron më të mirin në histori.
Cristiano Ronaldo 34-vjeçar është penguar nga një lëndim i gjurit gjatë muajve të parë të këtij sezoni dhe mes tij dhe trajnerit Maurizio Sarri dukej se kishte keqkuptime kur lojtari reagoi çuditshëm pasi u zëvendësua në ndeshjen kundër Milanit në nëntor.
Por, agjenti i tij Mendes e quajti Sarrit trajner të mrekullueshëm dhe pretendoi se Ronaldo mund ta përfundojë karrierën e tij si futbollist profesionist në Torino të Italisë.
“Po, ai mund ta bëjë këtë [të pensionohet te Juventusi]. Ai ka nënshkruar kontratë dhe është i lumtur në Juventus, po punon me një trajner të mrekullueshëm”, ka thënë Mendes, në një intervistë të dhënë për Calciomercato.com
“Ronaldo e ka ndryshuar historinë e futbollit; ai e ka bërë një vend të vogël si Portugalia të mrekullueshëm. Kur ai shkoi në Real Madrid, i dha fund dominimit të Barcelonës. Nuk mund të ketë krahasime, Cristiano është më i miri”.
“CR7 është lojtari më i mirë në histori të futbollit botëror. Para Ronaldos, Portugalia s’kishte fituar asgjë. Ronaldo e ka fituar Kampionatin Evropian dhe Ligën e Kombeve të UEFA-s”.
Sulmuesi i Zonjës së Vjetër i ka shënuar nëntë gola në 13 ndeshje të ligës deri më tani këtë sezon, përderisa bardhezinjtë kanë baras pikë me Interin në krye të tabelës së Serisë A pas 16 xhirove të para.
Diskutime rreth kësaj post