Zgjedhjet e 25 prillit shihen si një dritare e re edhe për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Rusisë. Për ambasadorin rus në Tiranë Mihail Afanasiev, pika e parë do të ishte rifillimi i punës së Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor, siç u dakordësua në vizitën e fundit që kryeministri Rama zhvilloi në Moskë.
Afanasiev tha për emisionin EuropeIN se ky komision deri në vitin 2009 ka funksionuar në mënyrë shumë efektive dhe aktive.
“Shpresojmë që pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të datës 25 prill dhe formimit të qeverisë së re të Shqipërisë, autoritetet e vendit do të kenë mundësinë të trajtojnë temën e komisionit ndërqeveritar, dhe më pas të mund të kthehemi së bashku në tryezën e bisedimeve dhe të diskutojmë të gjitha çështjet e ngutshme të bashkëpunimit tonë.Ne nuk i diktojmë askujt si të jetojë dhe nuk japim këshilla, nëse nuk na kërkohet”, tha ai.
Duke thënë se parimi kryesor i politikës së jashtme ruse mbetet mosndërhyrja në punët e brendshme të shteteve të tjera, Afanasiev thotë se janë faktorë të jashtëm që kanë ndikuar në prishjen e marrëdhënieve të Shqipërisë dhe Rusisë.
“Arsyet e rënies së nivelit të marrëdhënieve tona më duken disi artificiale. Me sa duket, ky është një nga elementët e luftës politike që po zhvillohet jo vetëm midis forcave politike në vetë Shqipëri, por edhe në rajon në tërësi, në të cilin lojtarë të ndryshëm të jashtëm garojnë për të ushtruar ndikim.Shembuj të gjallë, përfshirë ato të vendeve fqinje, tregojnë se kjo gjendje e bashkëpunimit tonë dypalësh nuk është normale”.-tha ai.
Diskutime rreth kësaj post