Në mars të 2017-ës, pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve, Edi Rama shkarkoi nga detyra katër ministra, Saimir Tahirin, Ilir Beqajn, Blendi Klosin dhe Blendi Çuçin.
Në sqarimin e dhënë aso kohe, Rama i cilësonte të katër ministrat si të suksesshëm, madje Tahirin kampion të qeverisë, por shprehej se i largoi nga detyra për tu angazhuar më tepër në parti dhe zonat ku ata ishin caktuar.
“Ndryshimet e qeverisë nuk reflektojnë asgjë tjetër përveç se domosdoshmërinë që udhëheqësit tanë politikë të fushatës së 18 qershorit, të fokusohen me regji të reja dhe prani të vazhdueshme pranë njerëzve, në përballimin e volumit të jashtëzakonshëm, të kontakteve me njerëzit që kërkon kjo fushatë”, u shpreh Rama në 2017-ën.
Sot, një vit para zgjedhjeve vendore, Kryesia e PS-së vendosi ngritjen e një grupi të posaçëm që do të merret me zgjedhjet. Pjesë e këtij grupi janë edhe dy ministra, Damian Gjiknuri dhe Ditmir Bushati.
Çka do të thotë se të dy ministrat, krahas detyrës në ekzekutiv do të angazhohen edhe në përgatitjen e fushatës për socialistët.
Të premten do të mbahet mbledhja e Asamblesë së PS-së dhe pritet që aty kreu i qeverisë të bëjë të ditur lajmin nëse do të ketë apo jo lëvizje në kabinet.
Nëse do të ndjek të njëjtin standard si në mars të 2017-ës, me angazhimin e ri që ju caktoi sot, pritet që Gjiknuri dhe Bushati të largohen nga posti në qeveri. Që pasi Rama paralajmëroi ndryshime në qeveri, në listat e publikuara në media emrat e dy ministrave renditeshin tek ata që rrezikonin shkarkimin.
Diskutime rreth kësaj post