Ndonëse krizën aktuale politike e konsideroi diçka të përsëritur, kryeministri Edi Rama veçoi në emisionin ‘Open’, një element të ri nga kriza e vitit 2017-të, kur opozita ngriti çadrën në bulevardin kryesor të Tiranës, me të njëjtat kërkesa.
Sipas Ramës, ndryshimi në 2019-ën është se opozita ka një vendosmëri për t’i shkuar deri në fund rrugës ‘qorre’. Ai theksoi se kjo sjellje do të sjellë vetëvrasjen politike të PD dhe LSI.
“Nuk është e re kjo situatë është e përsëritur, e kemi parë të gjithë dy vite më parë. ka ndryshuar forma, nuk është më një çadër që i mbledh njerëzit nën strehën e saj, por është një parti që ka braktisur Parlamentin pa kthim, ka veshur ’jelekët e verdhë’ të një lëvizjeje që është karakteristike e grupeve që krijohen për t’u bërë vizibël, por asnjëherë e partive politike, dhe kërcënon se nuk do të ketë zgjedhje nëse nuk bëhet siç duam ne.” tha ai.
Kryeministri refuzoi të pranonte edhe krahasimet me konfliktin e vitit 1997-të pasi, sipas tij, “konflikti civil është një fjalë e madhe”.
“Që të ketë konflikt civil duhet të ketë një popull në konflikt, këtu nuk ka një popull në konflikt… ‘97 ishte populli me një Qeveri që ishte katandisur në një regjim që shkatërroi financiarisht shqiptarët”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post