Amabasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu kërkon prej kohësh nga autoritetet shqiptare arrestimin e “peshqve të mëdhenj” të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Diplomati amerikan e përfshiu këtë term në fjalorin publik pak më shumë se dy vjet më parë, kur “shpërtheu” në media rasti i Klemend Balilit, i akuzuar dhe dënuar për trafik narkotikësh.
Ambasadori Lu e shndërroi në temë qëndrore Balilin, duke e argumentuar se për hetimin e tij është angazhuar edhe DEA, Agjencia Amerikane e Antidrogës. Për atë rast, me të drejtë, Donald Lu kërkonte nga autoritetet shqiptare që të angazhoheshin për të mos dështuar me hetimin e nisur nga autoritetet amerikane.
Por, njëlloj, për hetimin e Agron Xhafaj, vëllai i Fatmir Xhafës, i cili është dënuar për trafik narkotikësh, gjithashtu është investuar DEA amerikane. Në hetimet e Prokurorisë së Leçes, rezulton e provuar se Agron Xhafaj i ka shitur një kilogram kokainë një agjenti të infiltruar të DEA-s. Agjencia amerikane ishte përfshirë, për faktin se grupi i drejtuar nga vëllai i Fatmir Xhafaj trafikonte narkotikë nga Shqipëria në Itali e më tej në SHBA dhe anasjelltas.
Agron Xhafaj është dënuar me 7 vjet e dy muaj burg, me një vendim të Gjykatës së Kasacionit të Italisë. Pra, ai rezulton një person që duhet të vuajë dënimin në Itali. Por autoritetet shqiptare, të drejtuara nga Partia Socialiste, nuk kanë kryer asnjë procedurë ligjore për ekstradimin e tij.
Por, pavarësisht kësaj situate, ambasadori amerikan Donald Lu nuk ka dhënë asnjë koment për vëllain e Fatmir Xhafaj. Nuk e ka përmendur aspak si “peshk të madh” Agron Xhafaj. Natyrisht, ai nuk e ka për detyrë funksionale që të flasë për emra të përveçëm, për asnjë emër. E megjithatë, Donald Lu ia ka dhënë të drejtën vetes për të folur për eksponentë të krimit të organizar dhe të zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të dyshuar për korrupsion. Vetëm për Agron Xhafën, vëllain e Fatmir Xhafaj nuk ka asnjë koment.
Donald Lu dhe Fatmir Xhafaj forcuan bashkëpunimin dhe miqësinë e tyre gjatë diskutimit për hartimin e Reformës në Drejtësi. Në bazë të kësaj Reforme, tashmë i gjithë sistemi i drejtësisë është nën pushtetin apo nën presionin e qeverisë së Edi Ramës, ku shërben si Ministër i Brendshëm, edhe Fatmir Xhafaj, i cili nuk ka kryer asnjë procedurë për arrestimin e vëllait të tij, i dënuar për narkotrafik në Itali.
Diskutime rreth kësaj post