Nga Anjeza Xhaferaj*
Reforma zgjedhore duhet të bëjë të mundur përfaqësimin e drejtë dhe të shmangë të gjitha defektet e tanishme. Xhaferaj shkruan se deri më tani, reforma zgjedhore po shmang thelbin.
Reforma elektorale është një ndër çështjet që ka tërhequr më shumë vëmendje dhe ka ngjallur më shumë debat në sferën politike shqiptare. Debati nuk ka ardhur se është vënë në dyshim nevoja për reformë, por sepse palët që duhet ta kryejnë atë nuk kanë rënë dakord për nisjen e saj. Megjithatë, edhe pse dakordësia mbi nevojshmërinë e reformës është arritur tashmë dhe është vulosur me tryezën e para pak ditëve, të bekuar edhe nga ndërkombëtarët, mendoj se gjithsesi ia vlen të ngrihet pyetja: A kemi vërtet nevojë për një reformë zgjedhore? A është reforma zgjedhore zgjidhja e problemeve në politikën shqiptare?
Para se t’i jepet përgjigje kësaj pyetjeje, besoj se është e udhës të sqarojmë se ç’kërkohet prej një sistemi zgjedhor. Përgjithësisht, bihet dakord se një sistem elektoral duhet të garantojë një parlament përfaqësues, zgjedhje të hapura dhe kuptimplote, të japë incentiva për pajtim, të lehtësojë një qeverisje të qëndrueshme dhe eficiente, të garantojë përgjegjshmërinë e qeverisë dhe të përfaqësuesve përpara zgjedhësve, të inkurajojë parti politike gjithëpërfshirëse, të promovojë një opozitë parlamentare dhe së fundmi, të jetë i përballueshëm nga pikëpamja e kostos dhe relativisht i lehtë për t’u administruar. Megjithatë, sistemet e ndryshme elektorale nuk mund t’i garantojnë të gjitha këto pika. Për shembull, sistemet mazhoritare garantojnë qeveri eficiente dhe të qëndrueshme, arrijnë të promovojnë opozitë të fortë parlamentare, por nuk japin incentiva për pajtim. Ndërsa sistemet proporcionale lëvdohen se arrijnë të shmangin rezultatet e çrregullta të sistemeve mazhoritare dhe janë të afta të prodhojnë një legjislaturë përfaqësuese. Por, nga ana tjetër, kritikohen se sjellin një sistem partiak të fragmentizuar, çojnë në qeveri koalicioni, të cilat bllokojnë legjislaturën dhe e bëjnë të pamundur zbatimin e politikave koherente.
Në vijim të këtij arsyetimi, në përzgjedhjen e një sistemi elektoral dhe hartimin e një kodi zgjedhor duhen pasur parasysh prioritetet e vendit, dhe në varësi të tyre të rezultojë edhe përzgjedhja e duhur. Në rastin e Shqipërisë, asnjë prej tetë pikave të përmendura më sipër nuk përmendet në ligjërimin e përditshëm për reformë. I vetmi prioritet që haset në diskurin shqiptar si nga ana e partive politike, ashtu edhe ajo e medias, e shoqërisë civile dhe e ndërkombëtarëve, është integrimi në Bashkimin Europian, integrim ky që na u kushtëzoka pikërisht nga reforma zgjedhore. Bazë për zhvillimin e reformës janë pikërisht rekomandimet postzgjedhore të OSBE/ODIHR-it. Andaj,është e rëndësishme të dihet se ku konsistojnë këto rekomandime.
Përgjithësisht, vërejtjet dhe rekomandimet kanë të bëjnë me mungesën e vullnetit politik nga palët në zgjedhje për të pasur një proces të drejtë zgjedhor. Po kështu, mungesa e transparencës financiare të partive politike është një e metë tjetër që u vu re gjatë procesit zgjedhor dhe për pasojë, na vjen edhe rekomandimi respektiv. Pasaktësi me listat e zgjedhësve, KQZ që duhej “të siguronte më mirë drejtimin dhe mbikëqyrjen e fazave kyçe të procesit zgjedhor”; zbatim i paqëndrueshëm i rregullave për regjistrimin e kandidatëve; tone jo “paqësore” ndërmjet partive të mëdha, presion mbi zgjedhësit për të votuar për njërën parti apo tjetrën, përdorim i aseteve shtetërore për të blerë votat, censurim/ autocensurim i autonomisë së medias prej partive politike si pasojë e interesave të biznesit me njëra-tjetrën, janë vërejtjet e OSBE- ODIHR-it. Mbi bazën e këtyre vërejtjeve na vijnë edhe rekomandimet për reformën zgjedhore. Thënë kjo, të duket i habitshëm zelli i partive politike për të përveshur mëngët e për të kryer reformën zgjedhore. Asnjë nga problematikat e përmendura më sipër nuk ka lidhje me sistemin zgjedhor apo me Kodin Zgjedhor. Në fakt, problemet shkaktohen pikërisht nga vetë ata, të cilët kanë rrëmbyer flamurin e reformës dhe po e tundin në të gjithë sektorët e mundshëm. Jo më kot sot dëgjojmë për nevojën e reformës në drejtësi, në shëndetësi, në ekonomi dhe kudo ku ka probleme. A thua se mungesa e reformës është sjellësja e fatkeqësisë. Në fakt, siç e tregojnë edhe raportet, fajin nuk e ka forma dhe as re-forma, por ata që e kanë kthyer atë në krye-fjalën e ditës. As vullneti politik dhe as mungesa e transparencës financiare nuk zgjidhen me reformë, me tryeza të rrumbullakëta apo katrore dhe as me ligj, se ligji ekziston. Andaj, nuk kemi pse presim shumë nga nisma për reformën zgjedhore, sepse ajo do të pasohet nga një tjetër, e nga një tjetër, derisa ligji të mos kthehet në mënyrën e jetesës dhe të të funksionuarit të partive politike.
*pedagoge UET
Diskutime rreth kësaj post