Në oborrin me pisha të resortit turistik, njëri nga refugjatët afganë pyeti me kërshëri pasditen e së premtes nëse në Shqipëri ka shumë myslimanë. Pas kaosit të përjetuar në aeroportin e Kabulit dhe një udhëtimi të gjatë, burri në mesomoshë është i interesuar të dijë mbi njerëzit, fenë dhe sistemin politik të një vendi të panjohur për të, ku do të qëndrojë, nuk dihet se kohë, si refugjat.
Grupi i parë prej 121 qytetarësh afganë mbërritën në orët e para të së premtes në aeroportin e Rinasit dhe u strehuan më pas në një resort në zonën e Malit të Robit dhe një hotel në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi se dy avionë të tjerë me qytetarë afganë pritej të mbërrinin në Tiranë në orët e mesnatës. Mëngjesin e së premtes, të dyja godinat akomoduese u blinduan nga forca të policisë shtetërore dhe private, të cilët penguan aksesin dhe kontaktet e gazetarëve me qytetarët e sapoardhur nga Afganistani.
Ndonëse në njërin prej hoteleve hynin dhe dilnin lirisht turistë, stafet ishin porositur që t’i mbanin larg gazetarët për të ‘mos i shqetësuar mysafirët’. Situata ndryshoi në orët e pasdites, pasi eskorta e kryeministrit Edi Rama hyri dhe doli nga resorti, ndërsa një video e publikuar më pas në Facebook e tregon atë ndërsa takon refugjatët dhe u shpërndan lodra fëmijëve, imazhet e së cilëve u shfaqën të plota në video. Me largimin e Ramës u larguan edhe punonjësit e Gardës dhe ata të Policisë së Shtetit.
Refugjatët afganë me të cilët BIRN bisedoi në oborrin e resortit pasditen e së premtes thanë se ishin përfaqësues të shoqërisë civile, ndërsa njëri tha se kishte punuar më parë për qeverinë e Afganistanit. Ata refuzuan të intervistohen apo të identifikohen, me frikën se një pjesë e familjeve të tyre gjenden ende në Kabul, ndërsa disa thanë se presin që familjarët t’u bashkohen në ditët në vijim. Njëri prej tyre e përshkroi nisjen nga Kabuli si kaotike, ndërsa udhëtimin për në Shqipëri si shumë të gjatë.
“Për të hyrë aty [në aeroport] ka disa porta, por në të gjitha ishte kaos,” – tha ai.
Kontigjenti i parë i qytetarëve afganë që mbërriti në Shqipëri, u nis nga Kabuli të enjten, ndërsa dy shpërthime të njëpasnjëshme në ambientet e jashtme të aeroportit shkaktuan vdekjen e të paktën 60 personave. Situata në Afganistan u përmbys me shpejtësi pas largimit të trupave ushtarake të Shteteve të Bashkuara, ndërsa talebanët arritën të merrnin pa shumë mund kontrollin e kryeqytetit afgan më 15 gusht.
Për refugjatët afganë të strehuar në Shqipëri, ardhja e talebanëve i preu në mes përpjekjet e tyre për ndërtimin e një shteti demokratik në Afganistan. Babai i një vajze të vogël i tha BIRN se ata nuk pajtohen me kushtet e talebanëve, që i quajti “ekstremistë islamikë”.
“Po në Shqipëri a ka ekstremistë islamikë?” – pyet ai, pa pasur kohë të marrë përgjigje.
Njëra prej mjekeve të vendosura në resort i kërkon që të shkojë të bëjë tamponin e COVID-19 dhe burri vihet në kërkim të pjesës tjetër të familjes. Bashkëkombas të tjerë të tij janë gjithashtu të interesuar për Shqipërinë, për sistemin politik dhe për nivelin ekonomik të qytetarëve të këtushëm. Eksperienca e tyre me të drejtat e njeriut dhe lirinë e medias reflektohet sapo të pyesin nëse në Shqipëri funksionon e drejta e informimit dhe sa zbatohet, duke sqaruar në Afganistan ekziston vetëm në letër, por nuk gjen aspak zbatim.
Shqipëria po përgatitet të presë rreth 4 mijë qytetarë afganë, sipas një interviste të kryeministrit Edi Rama për CNN, të cilët do të qëndrojnë përkohësisht në Shqipëri deri në transferimin e tyre final drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të enjten, qeveria shqiptare miratoi një vendim që u jep refugjatëve mbrojtje të përkohshme 1-vjeçare. Qeveria shqiptare ka sqaruar se qytetarët afganë që do të mbërrijnë në vazhdim do të sistemohen përkohësisht në Qytetin Studenti, deri në lirimin e strukturave të tjera hoteliere.
Diskutime rreth kësaj post