Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, në një intervistë për News 24 ka komentuar marrëveshjen e djeshme mes palëve që uli në tryezë maxhorancën e opozitën.
“Së pari duhet të kuptojmë që është për të ardhur keq që u humb pothuajse një vit kohë e vyer për të reflektuar opozita jashtë parlamentare sepse kjo mund të kishte ndodhur fare mirë dhe para 1 viti. Kam qenë në studion tuaj në dhjetor të vitit të 2018 kur kam thënë që qëndrimi i PS për reformën zgjedhore është që të gjithë rekomandimet e OSBE/ODIHR të përkthehen në amendamente të kodit zgjedhor. Madje që ishim të gatshëm që opozitës t’i jepnim një letër të bardhë. Për fat të mirë kemi ardhur sot në një kuadër të përmirësuar. Në vitin 2017 si rrallëherë kemi ngritur komisionin e posaçëm. Në vitin 2019 me krijimin e një situatë të pakuptimtë për shkak të largimit të një pjese të deputetëve të PD e LSI u amendua vendimi, duke i garantuar opozitës një vend bosh edhe ekstraparlamentar në komisionin e posaçëm që opozita jashtëparlamentare të ketë të drejtë të kontribuojë e madje të vendosë dhe veton.
Jemi në një kuadër që ka qenë çdo ditë të vitit të kaluar por në një moment të ri politik. Gjej rastin ta përgëzoj opozitën. Kemi një moment të cilin duhet ta shfrytëzojmë, koha e përcaktuar është 15 marsi dhe ky afat ku ne duhet të kemi miratuar fazën e parë të reformës zgjedhore që lidhet me transpozimin e të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR në amendamente të kodit”, tha Balla, duke shtuar se me rëndësi është edhe ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike.
I pyetur se si i përgjigjet i zërave se ka një marrëveshje të fshehtë mes Ramës e Bashës për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor, Balla tha se në aspektin e këndvështrimeve të partive të mëdha politike ky është një sistem zgjedhor që ka treguar qëndrueshmërinë e maxhorancave.
“Ajo që ka nevojë Shqipëria dhe jo vetëm. Ky është një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Ka të bëjë dhe me situatën në të cilën gjendemi. Kemi plot 11 mijë familje që jetojnë përkohësisht në hotel, me qira apo çadra dhe është momenti që ne politikanët të bëjmë detyrën. Objektivi kryesor i Edi Ramës, macxhorancës është që brenda krishtlindjeve të vitit 2020 çdo familje duhet të ketë hyrë në shtëpi.
Nuk kam asnjë përgjigje për pyetjen tuaj sepse ne respektojmë njëlloj edhe kërkesën e opozitës parlamentare dhe kërkesat e opozitës joparlamentare. Deri më 15 mars kodi zgjedhor do të jetë minimalisht i depozituar për miratim dhe rreth asaj date kuvendi ta ketë miratuar”, theksoi Balla.
Diskutime rreth kësaj post