Në të gjitha rrethet e PS-së ka kohë që flitet për një rivalitet të fortë mes zv.kryeministres Belinda Balluku dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Ky i fundit është një lojtar shumë i fuqishëm në betejë, me rezultate e rekorde të pakonkurrueshme në krye të Bashkisë së Tiranës i cili ka pas vetes veteranë socialistë, si Etjen Xhafaj, Fatmir Xhafaj, Toni Gogu, Etilda Gjonaj dhe shumicën e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PS. Nga ana tjetër Belinda Balluku është gjithashtu në krye të një institucioni me shumë fonde, para, dhe mundësi për të bërë qoka, mban postin nr 2 në qeveri dhe është shfaqur si lojtare në fushën ku deri më tani Veliaj nuk ka patur konkurrentë.
Por betejës së çiftit konfliktual Balluku-Veliaj si pjellë e garës për prezencë mediatike dhe luftë brenda Rilindjes për rolin e pasardhësit i ka dhënë fund kryeministri Edi Rama. Burime bëjnë me dije se ka patur një takim të fshehtë mes Ramës dhe Veliajt në Paris gjatë Lojërave Olimpike. Kryebashkiaku i Tiranës mori një ultimatum të qartë: “Nëse nuk ka paqe mes tij dhe Belinda Ballukut, të dy do të largohen nga partia.” Siç e kemi parë së fundmi, Rama po “pret” shumë koka të rëndësishme në PS dhe arsyen e largimit të tyre ai e ka shumë kollaj duke përdorur dosjet që ata kanë të hapura në SPAK.
Balluku dhe Veliaj në “rrethin e kuq”
Emri i parë që është futur në “rrethin e kuq” të Edi Ramës është ministrja Belinda Balluku, të cilës po i bëhen “mal” kallëzimet në SPAK. Zyrtarja e lartë socialiste u paraqit më 15 maj të këtij viti në Prokurorinë e Posaçme. Fletëthirrja për Ballukun u bë nga prokurori Dritan Prençi i cili po heton dosjen e inceneratorit të Tiranës. Ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka gjithashtu disa kallëzime në SPAK për shpërdorim detyre dhe dyshime për korrupsion. Në mars 2021, PD paditi zv/kryeministren në SPAK për koncesionin e Portit të Durrësit. Balluku akuzohej për të paktën 6 vepra penale në lidhje me koncesionin 30 milionë euro të kalatës së Portit të Durrësit. Kalata iu dha me koncesion për 5 vjet një kompanie të regjistruar në parajsë fiskale, në shkelje flagrante të kërkesave për tenderin. Po për Portin e Durrësit, PD ka bërë një padi të dytë një vit më pas ndaj Ballukut, por edhe ndaj kryeministrit Edi Rama e Delina Ibrahimajt, si të implikuar në aferën e Portit të Durrësit.
Një tjetër padi ndaj ministres së Infrastrukturës është bërë edhe për rrugën Korçë-Ersekë, për fryrjen e kostove nga 1 në 5 mln euro për kilometër. “Nisma Thurje” ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku për procedurën e dhënies me koncesion të portit të Vlorës dhe dhënien e truallit prej 57 mijë metra katrorë me qira 1 euro për kompleksin rezidencial Vlora Marina. Nga ana tjetër Balluku është zyrtarja e lartë ka numrin më të madhe të drejtorëve në hetim nga Prokuroria e Posaçme apo janë të arrestuar për korrupsion dhe abuzim në tendera. Kjo do të bëjë që Edi Rama të mos rrezikojë dhe të largojë emrin e Ballukut nga ekipi që po përgatit për zgjedhje. Në pikëpyetje këtu është dhe Erion Veliaj, i cili është drejtuesi politik i qarkut të PS. Kryebashkiaku po përballet me skandalet që kanë plasur në Bashkinë e Tiranës me dosjen “5 D”, si edhe me aferën e inceneratorit të Tiranës, për të cilat dha llogari para Ballukut duke u marrë në pyetje për 8 orë në SPAK.
Si i fuqizoi Rama, Ballukun dhe Veliajn në PS
Në një rrëfim pak kohë më parë, Veliaj ka treguar se ka lënë studimet në Amerikë dhe vendosi që të përfundonte shkollën dhe të krijonte lëvizjen “Mjaft” në Shqipëri. Veliaj tha se ishte kryeministri Edi Rama ai që hapi derën në PS. “Unë kam lindur në Tirane, kam qenë 10 vjeç kur kuptova se diçka po ndodhte po atë vit humba babain tim. Historia e fiqve është e vërtetë. Secili prej nesh duhet ë bënte diçka për të mbijetuar. Kur shikoje politikën, e shihje diçka të ngatërruar. Pata ecejake. Isha për studime në SHBA. Shkova dhe në Kosovë. U riktheva që të mbaroja shkollën. Një pyetje që i bëja vetes është se; të rri këtu në Amerikë që të jem një rondele që funksionon aq mirë, apo në Shqipëri që të jep si papaqë. Erdha në Shqipëri, e nisa duke sharë PS-në. Edhe sot kam kritika, por i them në shtëpi. Krijova “Mjaft”. Dhe mendova sa të vijojmë me protesta, më mirë të bashkohemi për të në deputet. Edi më hapi derën për t’u futur në PS. Kur te partia jonë thau; dhëndri, vajza, kunati, njerëzit kthejnë kokën.
Tek partitë e tjera kur e thua këtë, merret vesh për kë. Kupton se si bën karrierë në këtë parti. Jua thash këtë për t’ju thënë se nuk pyet se kush je në partinë tonë. Ne na bënë bashkë; një për të gjithë dhe të gjithë për një”, është shprehur Veliaj. Nga ana tjetër, Rama ka fuqizuar pozitat e Ballukut vitet e fundit. “Belinda është burri më i fortë që kemi në qeveri sa për dijeni. Përveçse është edhe grua, edhe nënë, edhe shoqe, është edhe kokderre e madhe”, ka thënë Rama gjatë një takimi teksa ka përshkruar Belinda Ballukun. Ajo është bashkëpunëtore Edi Ramës që prej vitit 2004. Në atë kohë, Balluku i ishte bashkuar stafit të Bashkisë Tiranë, që drejtohej nga Rama. Fillimisht si këshilltare për Marrëdhëniet me Publikun dhe më vonë si Drejtore e Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë. Prej vitit 2006, Balluku ka qenë pjesë Partisë Socialiste, ku ka drejtuar kabinetin e kryesocialistit gjatë periudhës janar 2011-janar 2012. Më 9 janar 2019, Balluku emërohet ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke zëvendësuar Damian Gjiknurin. Më pas Rama e bën numrin 2 të qeverisë.
Diskutime rreth kësaj post