Vendimi i Presidentit Meta për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit e ka futur vendin në një krizë totale politike, por edhe kushtetuese.
Meta tha se anuloi zgjedhjet për të shmangur konfliktin në vend duke i dhënë mundësi palëve që të merren vesh me njëra-tjetrën se si të dalin nga ngërçi politik, por duket se kjo është fillimi i një përplasje më të madhe politike.
Fill pas vendimit të Metës, PS deklaroi se do të nisin procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës, por më shumë se një veprim konkret, këto duken deklarata politike, pasi siç është situata tani, ai nuk mund të shkarkohet.
Që Meta të shkarkohet, duhet që vendimin e Kuvendit ta shqyrtojë Gjykata Kushtetuese, por Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese, rrjedhimisht edhe votimi në Kuvend mbetet nul.
Krahas kësaj, duhet që maxhoranca të arrijë 3/5 të votave në Kuvend për shkarkimin e Metës, të cilat nuk i ka.
Në nenin 90, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon rastin kur shkarkohet Presidenti
“Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”.
Diskutime rreth kësaj post