Qeveria miratoi sot projektbuxhetin për vitin 2019 duke ia dërguar Kuvendit për shqyrtim në komisionet përkatëse.
Ekzekutivi parashikon që të shpenzojë rreth 519 miliard lekë gjatë vitit të ardhshëm duke siguruar të ardhura prej 486 miliard lekë me një decifit buxhetor prej 32.9 miliar lekësh.
Qeveria ka përcaktuar gjithashtu edhe pagën e Presidentit të Republikës, e cila merret si referencë për pagesat e administratës.
Këtë vit, paga e Presidentit të Republikës Ilir Meta do të jetë 257 000 lekë ose diçka më shumë se 2 000 euro me kursin e sotëm të këmbimit.
Buxheti i plotë
V E N D I M
Nr.______, datë __________
PËR PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR BUXHETIN E VITIT 2019”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2019”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
MINISTRI I FINANCAVE DHE EKONOMISË ARBEN AHMETAJ
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
Kuvendi
P R O J E K T L I GJ
Nr.______ /2018
PËR BUXHETIN E VITIT 2019
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, e 158, të Kushtetutës, dhe të nenit 30, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
BUXHETI
Neni l
Buxheti për vitin 2019 është:
Të ardhurat 486 477 milionë lekë;
Shpenzimet 519 377 milionë lekë;
Deficiti 32 900 milionë lekë.
Ai përbëhet nga buxheti i shtetit, buxheti vendor dhe fondet speciale: sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe kompensimi i pronarëve.
Neni 2
Buxheti i shtetit për vitin 2019 është:
Të ardhurat 364 945 milionë lekë;
Shpenzimet 397 845 milionë lekë;
Deficiti 32 900 milionë lekë.
Neni 3
Buxheti vendor për vitin 2019 është:
Të ardhurat 51 149 milionë lekë;
Nga të cilat:
– transferta e pakushtëzuar e përgjithshme 17 527 milionë lekë;
– transferta e pakushtëzuar sektoriale 7 411 milionë lekë
– Të ardhura të tjera 26 211 milionë lekë;
Shpenzimet 51 149 milionë lekë.
Neni 4
Buxheti i sigurimeve shoqërore për vitin 2019 është:
Sigurimi i detyrueshëm, programet kompensuese dhe trajtimet e veçanta.
Të ardhurat, gjithsej 127 244 milionë lekë;
Nga të cilat:
– kontributet 82 696 milionë lekë;
– transferimet nga buxheti i shtetit 42 238 milionë lekë;
– transferta nga buxheti për indeksimin e pensioneve 2 310 milionë lekë;
Shpenzimet 127 244 milionë lekë.
Paga minimale, për efekt të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, është e barabartë me pagën minimale në shkallë vendi dhe ndryshon sa herë që ndryshon kjo pagë. Këshilli i Ministrave përcakton masën e kontributit për personat e vetëpunësuar në bujqësi, si dhe të kategorive të veçanta të personave të vetëpunësuar. Për vitin 2018, teprica ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve, sipas degëve dhe programeve të sigurimit shoqëror të detyrueshëm e suplementar, përdoret për mbulimin e deficitit të degës së pensioneve.
Sigurimi suplementar
Të ardhurat, gjithsej 5 844 milionë lekë;
Nga të cilat:
– kontributet 1 446 milionë lekë;
– transferimet nga buxheti i shtetit 4 258 milionë lekë;
– fondi për indeksimin e pensioneve 140 milionë lekë;
Shpenzimet 5 844 milionë lekë.
Fondi për indeksimin e pensioneve është parashikuar 2 450 milionë lekë. Përdorimi i këtij fondi bëhet sipas përcaktimeve në nenin nr.61, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Shpenzimet administrative, si pjesë e shpenzimeve totale për skemën e sigurimeve shoqërore, janë jo më shumë se 2 618 milionë lekë dhe ndahen sipas skemave në proporcion me shpenzimet e drejtpërdrejta.
Neni 5
Buxheti i sigurimeve shëndetësore për vitin 2019 është:
Të ardhurat, gjithsej, 41 900 milionë lekë;
Nga të cilat:
– kontributet dhe të tjera 13 729 milionë lekë;
– transferimet nga buxheti i shtetit 28 171 milionë lekë;
Shpenzimet 41 900 milionë lekë.
Fondi për rimbursimin e medikamenteve nuk tejkalon tavanin prej 10 500 milionë lekësh. Fondi për shërbimin spitalor detajohet dhe përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 6
Buxheti i fondit për kompensimin në vlerë të pronarëve për vitin 2019 është:
Të ardhurat, gjithsej, 5 000 milionë lekë;
Nga të cilat:
– të ardhura të tjera 1 000 milionë lekë;
– transferimet nga buxheti i shtetit 4 000 milionë lekë;
Shpenzimet 5 000 milionë lekë.
Neni 7
Përdorimi dhe investimi i fondit rezervë të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhet sipas dispozitave ligjore në fuqi.
KREU II
BURIMET PËR MBËSHTETJEN E SHPENZIMEVE
TË BUXHETIT TË SHTETIT
Neni 8
Të ardhurat e buxhetit të shtetit, sipas grupeve kryesore, janë:
Grantet 15 500 milionë lekë;
Të ardhurat tatimore 325 604 milionë lekë;
Të ardhurat jotatimore 23 840 milionë lekë.
Neni 9
Kufiri i financimit të deficitit të buxhetit të shtetit prej 32 900 mijë lekësh, nëpërmjet huamarrjes totale neto nga burime të brendshme dhe të huaja është 7 203 milionë lekë. Pjesa tjetër prej 25 697 milionë lekësh financohet nga përdorimi i fondeve të akumuluara në llogarinë e qeverisë në Bankën e Shqipërisë. Këshilli i Ministrave merr masa për kompensimin e diferencave nga burime suplementare ose nga shkurtimi i shpenzimeve.
Të ardhurat nga privatizimi, që mund të krijohen gjatë vitit 2019, përdoren jo më pak se 50 për qind për uljen e borxhit publik dhe pjesa tjetër përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave për rritjen e kufirit të shpenzimeve kapitale, e cila, automatikisht, rrit me të njëjtën masë kufirin e deficitit të buxhetit të shtetit, të përcaktuar në nenet 1 dhe 2, të këtij ligji.
KREU III
SHPENZIMET E BUXHETIT TË SHTETIT
Neni 10
Shpenzimet e buxhetit të shtetit, sipas grupeve kryesore, janë:
Shpenzime të buxhetit qendror 388 545 milionë lekë;
Fondi për rritjen e pagave 2 000 milionë lekë;
Fondi rezervë 1 500 milionë lekë;
Fondi rezervë i sistemit të drejtësisë 1 500 milionë lekë;
Kontingjencë për risqet e borxhit 4 300 milionë lekë.
Kufiri i shpenzimeve për çdo ministri dhe institucion, në nivel programi, për shpenzime korrente dhe kapitale, është sipas tabelës 1, që i bashkëlidhet këtij ligji. Kufiri i shpenzimeve korrente dhe kapitale për institucionet e sistemit të drejtësisë paraqitet në nënndarjen përkatëse, pjesë e tabelës nr.1.
Në tabelat 1/1 dhe 1/2, janë kufijtë e shpenzimeve për çdo ministri dhe institucion, në nivel programi, për shpenzime korrente dhe kapitale, përkatësisht për vitet 2020 dhe 2021. Transferta e pakushtëzuar për çdo njësi të vetëqeverisjes vendore miratohet vetëm për vitin 2019.
Të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit, sipas zërave kryesorë, për dy vitet e mëparshme fiskale dhe tri vitet e ardhshme janë sipas tabelës 4.
Neni 11
Numri i përgjithshëm i punonjësve në organikë është 82 022 veta. Numri maksimal i punonjësve për çdo ministri dhe institucion qendror, i dhënë në tabelën 2, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij, detajohet nga ministritë dhe institucionet qendrore, në përputhje me strukturat e miratuara për çdo institucion varësie. Këshilli i Ministrave mund të rishpërndajë numrin e punonjësve ndërmjet institucioneve të përmendura në tabelën 2, në rastin e ristrukturimit të institucioneve ekzistuese apo krijimit të institucioneve të reja.
Numri rezervë, i parashikuar në tabelën 2, përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave për krijimin e institucioneve të reja. Këshilli i Ministrave përcakton numrin maksimal të punonjësve me kontratë të përkohshme për çdo ministri dhe institucion qendror.
Për vitin 2019 nuk miratohet asnjë ndryshim në strukturat organike të njësive të qeverisjes qendrore me efekte financiare shtesë në koston e personelit, të përllogaritur sipas strukturës së miratuar, me përjashtim të institucioneve të reja dhe institucioneve të sistemit të drejtësisë.
Ky përcaktim përfshin edhe ato struktura, në të cilat paga për funksion jepet ose është sipas gradës përkatëse, ku çdo rritje në gradë do të bëhet efektive vetëm nëse nuk shoqërohet me efekte financiare shtesë në koston e përllogaritur sipas gradave të miratuara.
Numri i punonjësve të institucioneve ekzistuese të sistemit të drejtësisë dhe numri rezervë për këtë sistem paraqitet në nënndarjen përkatëse në tabelën nr.2. Detajimi i numrit të punonjësve të institucioneve ekzistuese të sistemit, deri në momentin e riorganizimit, detajohet nga vetë institucionet. Rishpërndarja e numrit të punonjësve të institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe e numrit rezervë të tyre bëhet nga Këshilli i Ministrave, pas miratimit paraprak nga Kuvendi.
Fondi i veçantë i institucioneve buxhetore prej 500 milionë lekësh shpërndahet dhe përdoret sipas procedurave që përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave dhe Ekonomisë. Shumat e shpërndara nga ky fond shtojnë kufijtë e miratuar në tabelën 1, që përmendet në nenin 10, të këtij ligji.
Neni 12
Paga e Presidentit të Republikës është 257 000 lekë në muaj dhe rritet gjatë vitit, sipas përcaktimeve që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 13
Fondi rezervë i buxhetit prej 1 500 milionë lekësh përdoret nga Këshilli i Ministrave për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme.
Fondi rezervë i sistemit të drejtësisë, përdoret:
deri në 1 miliardë lekë, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për financimin e pagave të reja të magjistratëve.
deri në 500 milionë lekë, nga Këshilli i Ministrave për krijimin dhe funksionimin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, pas miratimit paraprak nga
Kontingjenca për risqet e borxhit prej 4 300 milionë lekësh përdoret nga ministri i Financave dhe Ekonomisë për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në shpenzimet për interesa.
Shumat e shpërndara nga fondi rezervë i buxhetit, fondi rezervë i sistemit të drejtesisë dhe kontingjenca për risqet e borxhit, shtojnë kufijtë e miratuar në tabelat 1 dhe 4, që përmenden në nenin 10, të këtij ligji.
Neni 14
Fondi për rritjen e pagave prej 2 000 milionë lekësh shpërndahet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbi bazën e nivelit të pagave që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Shumat e shpërndara nga ky fond shtojnë kufijtë e miratuar në nenet 3 e 5, si dhe në tabelat 1 dhe 4, që përmenden në nenin 10, të këtij ligji.
Neni 15
Buxheti i pushtetit gjyqësor administrohet nga Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, në mbështetje të ligjit nr.8363, datë 1.7.1998, “Për krijimin e Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor”. Bordi i kësaj zyre bën shpërndarjen e fondeve buxhetore nga programi i buxhetit gjyqësor, sipas tri niveleve të këtij pushteti, deri në momentin e krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Neni 16
Transferta e pakushtëzuar, që buxheti qendror ia transferon pushtetit vendor, përfshin fondet për përballimin e veprimtarive dhe të funksioneve që përcaktohen në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Transferta e pakushtëzuar e përgjithshme shpërndahet ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore, sipas formulës së paraqitur në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij ligji. Shuma e transfertës së pakushtëzuar për çdo njësi të vetëqeverisjes vendore paraqitet në tabelën 3, që i bashkëlidhet këtij ligji.
Fondi rezervë nga totali i transfertës së pakushtëzuar të përgjithshme përdoret nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në përputhje me kriteret e përcaktuara në aneksin 2, që i bashkëlidhet këtij ligji. Fondi për Zhvillimin e Rajoneve dhe programi për infrastrukturën vendore dhe rajonale përdoren sipas aneksit 3, që i bashkëlidhet këtij ligji.
Transferta e pakushtëzuar sektoriale për funksionet e reja të transferuara në bashki shpërndahet sipas anekseve 1 dhe 4, që i bashkëlidhen këtij ligji.
Personeli administrativ i këshillit të qarkut nuk mund të jetë më shumë se 10 veta.
Neni 17
Fondet e buxhetit të shtetit për institucionet e arsimit të lartë shpërndahen në formën e grantit. Ky fond shpërndahet sipas kategorive:
a) Granti i politikave të zhvillimit për institucionet publike të arsimit të lartë;
b) Granti i mësimdhënies;
c) Granti i punës kërkimore-shkencore dhe veprimtarive krijuese. Modeli i financimit për instutitucionet e arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Kriteret për përdorimin e granteve të politikave të zhvillimit për institucionet publike të arsimit të lartë dhe granti i punës kërkimore-shkencore dhe veprimtarive krijuese, janë përcaktuar në nenet 111 dhe 113, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
Neni 18
Kufiri i shpenzimeve, sipas tabelës l, që i bashkëlidhet këtij ligji, mund të rishpërndahet gjatë vitit ndërmjet programeve brenda të njëjtit institucion buxhetor apo ndërmjet programeve të institucioneve të ndryshme nga Këshilli i Ministrave, deri në masën 10 për qind të shumës së përgjithshme të shpenzimeve korrente apo shpenzimeve të përgjithshme kapitale, duke ruajtur totalin e shpenzimeve korrente dhe kapitale. Bëjnë përjashtim nga ky rregull shpenzimet për institucionet e sistemit të drejtësisë, të cilat mund të transferohen nga një program në tjetrin pa kufizim. Të drejtat e përcaktuara në ligjin nr.9636, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, në nenin 44, për rishpërndarjen e fondeve buxhetore, përcaktojnë treguesit e faktit në tabelat nr.1 dhe 4, të cituara në këtë ligj.
Neni 19
Tavani për vlerën totale të kontratave në përqindje të PBB-së për të gjitha projektet koncesionare/PPP-të ekzistuese dhe ato të kontraktuara rishtazi për vitin 2018, në përputhje me të dhënat e regjistrit të koncesioneve është 46% e PBB-së. Këshilli i Ministrave (Ministria e Financave dhe Ekonomisë) raporton në Komisionin për Ekonominë dhe Financat për çdo kontratë të re të koncesioneve dhe partneriteteve publike private, që nënshkruhet dhe i shtrin efektet brenda vitit buxhetor, në funksion të ruajtjes së tavanit për vlerën totale të kontratave në përqindje të prodhimit të brendshëm bruto.
Neni 20
Kufiri për rritjen vjetore të totalit ekzistues të stokut të borxhit të qeverisjes qendrore dhe atij të garantuar të qeverisjes qendrore në dobi të palëve të treta përfituese, për vitin 2019, pa përfshirë efektet e mundshme prej ndryshimit të kursit të këmbimit, është deri në 9 203 milionë lekë, i dhënë me hollësi, si më poshtë vijon:
Për huamarrjen totale neto vjetore, përfshirë huamarrjen e brendshme dhe atë të huaj deri në 7 203 milionë lekë;
Për rritjen vjetore të garancive të qeverisjes qendrore në dobi të palëve të treta përfituese, deri në 2 000 milionë lekë.
Stoku i borxhit publik vlerësohet të arrijë në 1 147 922 milionë lekë, pa përfshirë efektet e mundshme prej ndryshimit të kursit të këmbimit, i dhënë me hollësi, si më poshtë vijon:
Stoku i borxhit të qeverisjes qendrore 1 091 684 milionë lekë;
Stoku i borxhit të garantur nga qeverisja qendrore 55 085 milionë lekë;
Stoku i borxhit të qeverisjes vendore 1 153 milionë lekë.
Neni 21
Në rast të emetimit të një eurobondi të ri, si dhe në rast të disbursimit të ndonjë kredie shtesë në formën e “mbështetjes buxhetore” nga institucionet financiare ndërkombëtare, kufiri për huamarrjen totale neto, rritjen vjetore të stokut të borxhit dhe nivelin e vlerësuar të stokut të borxhit të përcaktuara në nenet 9 dhe 20, mund të tejkalohen me vlerën totale të eurobondit të emetuar dhe mbështetjes buxhetore të disbursuar. Ndërkohë niveli i deficitit të buxhetit të vitit 2019 mbetet i pandryshuar sipas përcaktimit në nenin 1.
Qeveria mund të akumulojë dhe mund të mbajë në llogarinë e qeverisë në Bankën e Shqipërisë çdo gjendje shtesë të likuiditetit që mund të krijohet dhe mbartet për të financuar buxhetet e viteve fiskale pasardhëse, por pa kaluar kufirin prej dy muajsh të shpenzimeve buxhetore.
Neni 22
Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë të nxjerrë udhëzime për zbatimin e këtij ligji.
Neni 23
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2019.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
Diskutime rreth kësaj post