Nga Bedri Islami
Ka një këmbëngulje të vazhdueshme të presidentit të Kosovës, zotit Hashim Thaçi, për dhënien e nënshtetësisë shqiptarëve të Kosovës si një detyrim kushtetues i saj. Ka një refuzim të presidentit të Shqipërisë, zotit Ilir Meta, me arsyetimin se kjo nuk është zgjidhja që kërkohet në këto momente dhe për këtë ai thirret në disa detyrime ndërkombëtare të Kosovës, të cilat duhet të zgjidhen.
Ka edhe një qëndrim të heshtur të kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama, i cili, i njohur deri më tani si njëri ndër liderët ballkanikë me mendje të hapur dhe ushqyes në disa intervista i idesë së bashkimit të shqiptarëve, është pritur të ketë një mendim, i cili në asnjë rast nuk do të mund të ishte vetjak. Po ashtu, ka edhe heshtje të kryeministrit të Kosovës, zotit Ramush Haradinaj, i cili, i kthyer edhe një herë në postin e tij, nga i cili e larguan padrejtësisht, ka para vetes gjëra më të rëndësishme aktuale se sa këtë që shtron presidenti i tij. Në fakt, edhe zoti Haradinaj, i ka takuar, ashtu si zoti Thaçi, të njëjtës strukturë politike ilegale çlirimtare, e cila kishte në programin e saj bashkimin kombëtar.
Këmbëngulja e zotit Thaçi dhe përsëritja e saj në disa momente të rëndësishme, më pak se gjithçka tjetër e trajtuar nga Ai në këto momente, është prekur nga mediat dhe është bërë trajtesë e mendimit politik apo intelektual, qoftë në Kosovë, qoftë në shtetin shqiptar.
Ka mendime se e gjithë kjo e bërë nga AI ka lidhje me heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj liberalizimit të vizave, duke vënë herë pas here kushte që, duke u realizuar ashtu si kërkohet, mund të tensionojnë edhe më tej skenën politike të Kosovës, që edhe pa këto, është jashtëzakonisht e ngarkuar. Dy çështjet më të nxehta, edhe të qeverisë aktuale, edhe të çdo lloj qeverie që mund të ishte, janë dy: Demarkacioni me Malin e Zi, njëra ndër më jetiket dhe që kërkon pjekuri e saktësi në zgjidhjen e saj; dhe, e dyta, Zajednica, krijimi i bashkësisë së përbashkët të komunave me pjese të rëndësishme të komunitetit serb.
Të dyja këto “patate” të nxehta kanë qenë mollë sherri e jo vetëm “mollë” në parlamentin e Kosovës. Seanca të ndërprera nga tymrat dhe gazi lotsjellës, sharje, grindje dhe përplasje, arrogancë nga pushteti dhe vulgaritet nga opozita, fërkim duarsh nga pakica serbe që dhe ashtu, edhe kështu, do të jetë pjesë e qeverisë, nxitje e një vale nacionaliste të papritur, përsëri përplasje e në fund, dy pjesë të opozitës që ishin kundër Demarkacionit, tani janë pjesë e qeverisë dhe e udhëheqin atë, AAK dhe Nisma.
Kushti i bashkësisë ndërkombëtare që, para se të lejojmë udhëtimin e lirë të shtetasve tuaj, ju duhet të miratoni këto dy ligje dhe vendime jetike për Kosovën, është në fakt, një përpjekje aspak e pëlqyeshme për të vënë kushtin që nuk mund të negociohet: doni të lëvizni në udhëtimin tuaj, lëvizni më parë në qëndrimin politik, por drejt asaj që ju kemi përcaktuar e ndonjëherë edhe e keni miratuar.
Edhe më parë, për fat të keq, bashkësia ndërkombëtare ka vënë kushte të tilla për institucionet e Kosovës duke lënë si kulaç pikërisht liberalizimin e vizave. Më mirë se gjithë të tjerët këtë e di presidenti i sotëm i Kosovës, Thaçi, i cili ka drejtuar këto bisedime të vështira në rolin e shefit të qeverisë.
Kështu që, njëra nga arsyet e këmbënguljes së tij është pikërisht ikja nga ky lak ku i kanë vënë dhe që nuk do të mund të zgjidhet edhe për një kohë të gjatë.
A ka të drejtë zoti Meta që e kundërshton këtë ide?
Në mendimin tim kjo është një e drejtë e tij ekskluzive, pasi, si një njeri i politikës dhe pjesë e Trupës Drejtuese të shtetit shqiptar, në rolin e tij si president, nuk mund të ketë një dhënie nënshtetësie në bllok për të gjithë.
Kjo do të sillte dy probleme të mëdha:
Së pari, shteti shqiptar do të dilte kundër strukturave të rëndësishme të Bashkimit Europian ku synon të jetë pjesë dhe kjo kundërvënie nuk do të ishte edhe aq e mirëpritur nga vetë shtetasit e tij. Do të sillte një largesë mes njerëzve që i përkasin të njëjtit komb dhe që, sado padrejtësisht të ndarë në dy shtete, ata, të paktën tani për tani, duhet të pranojnë të jenë pjesë e këtij realiteti.
Së dyti, duke dhënë nënshtetësinë për banorët shqiptarë të Kosovës, kjo do të vinte një shenjë mosbarazimi mes tyre dhe pakicave të tjera që jetojnë në Kosovë dhe do u japë atyre të drejtën të kërkojnë, duke qenë shtetas të Kosovës, edhe nënshtetësi turke, serbe, egjiptiane etj.
Si duket, këto, dhe mendimi që së pari duhen rregulluar “pipzat” me bashkësinë europiane, janë dy arsyet kryesore të refuzimit të presidentit shqiptar.
Nga ana tjetër, a ka të drejtë presidenti i Kosovës që, jo një herë, kërkon dhënien e nënshtetësisë së shqiptarëve të Kosovës, duke u mbështetur në preambulën e Kushtetues sonë?
Siç ndodh rrallë herë, edhe ai është në të drejtën e tij. Në Kosovë, shumë nga banorët serbë tani kanë edhe nënshtetësinë e shtetit serb, mund të udhëtojnë tek të afërmit e tyre dhe të kthehen përsëri falë asaj pasaporte, e cila nuk do të duhej të kishte kurrë lirinë e lëvizjes para shqiptarëve të Kosovës, të cilët ishin viktimë, për të disatën herë të gjenocidit serb. Nga ana tjetër, siç nuk ndodhte më parë, shqiptarët e Kosovës, edhe sot e kësaj dite, duhet të rrinë ne pritje të gjata për një vizë, jo vizë punësimi, por disa mujore, për të qenë tek fëmijët, vëllezërit e motrat e tyre.
Thaçi është në të drejtën e tij për të kërkuar dhënien e nënshtetësisë, por kjo nuk mund të bëhet në bllok.
Duhet gjetur rruga e mesme, ajo e përcaktimit të kritereve të sakta, çka janë në të vërtetë për mbështetjen e dosmosdoshme të atyre shqiptarëve të Kosovës, të cilët, në këtë moment, për shkak të kontakteve dhe të punës, u duhet të lëvizin, por që, në të njëjtën kohë, përmbushin edhe përcaktimet e nënshtetasit shqiptar. Kjo është një fushë në të cilën jam i bindur se presidenti shqiptar do të lëvizë më shpejt se pararendësit e tij, qoftë edhe për shkak se ai e njeh më mirë se të tjerët lëvizjen politike në Kosovë, njerëzit që i bartin idetë dhe vizionet politike, por edhe traditën e krijuar.
Presidenti Thaçi e ka parë këtë si një domosdoshmëri për të gjetur një rrugë të mesme, të vështirë, por të mundshme, qoftë edhe pjesërisht, që duke krijuar një urë anësore drejt lëvizjes së lirë, të jetë më i prerë në obligimet e tjera kushtetuese, pa rënë në atë që mund të quhet presion politik për të zgjidhur një situatë që lidhet më fatin e popullit që i takon.
Por, herë pas here, kam një mendim krejtësisht vetjak:
Mos vallë emërimi i katër zëvendësministrave shqiptarë të Kosovës në qeverinë e re Rama dhe kërkesa e Thaçit për dhënien e nënshtetësisë është njëri ndër hapat e koordinuar drejt asaj që mund të quhet fillesë e bashkimit kombëtar. Të jetë e mundur që dy liderët, të cilët, në një intervistë të përbashkët disa kohë më parë, në një vend aspak asnjanës, në Malin e Zi, pohuan se bashkimi kombëtar nuk është as mëkat dhe as nacionalizëm, por një zgjidhje e drejtë historike?
Shpesh herë gjuajtjet e sotme nuk janë dalluar se çka mund të sjellin në të ardhmen.
Diskutime rreth kësaj post