Së fundmi janë shtuar zërat se Asociacioni mund të jetë një kusht i patejkalueshëm për Kosovën para fazës së fundit të anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Në një bisedë telefonike që pati presidenti i Francës me kryeministrin Kurti, Macron nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si dhe progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Për aplikimin në Këshillin e Evropës Kurti sot foli edhe me krye-diplomaten gjermane, por që Zyra e Kryeministrit nuk dha detaje nëse është folur edhe për Asociacionin.
Sipas ish-diplomatit Blerim Canaj, Kurtit nuk po i besojnë më zyrtarët perëndimorë.
Shkaku i këtij mosbesimi, Canaj thotë në RTV Dukagjini se ndërkombëtarët po kërkojnë veprime konkrete nga Kurti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe pastaj të vazhdohet me Këshillin e Evropës.
Më tej Canaj shton se nëse Kurti është burrështetas, ai do të themelojë Asociacionin, pasi burrështetasit marrin vendime të rënda.
“Natyrisht që është kështu (se duhen veprime drejt themelimit të Asociacionit), së paku kështu po thonë francezët, gjermanët e amerikanët. Që duhet një indice konkrete në drejtim të themelimit të Asociacionit. Që pastaj të vazhdohet më Këshillin e Evropës”.
Ish-diplomati thotë se Kurti ka premtuar dhe nuk ka zbatuar duke humbur kredibilitetin në sytë e ndërkombëtarëve.
“Pse ndodhë kjo dhe pse nuk i besohet më Albin Kurtit. Që ai kur premton dhe garanton diçka pa e parë zezën mbi të bardhën, ata nuk i besojnë më, se Kurtit nuk i beson më askush. Nuk po i beson Macroni, Bideni, s’po i beson askush në botë”, ka thënë Canaj.
Por ndryshe mendon avokati Tomë Gashi.
Gashi thotë se Albin Kurti e ka të shenjtë të mbrojë territorin e Kosovës.
“Asociacionin si e mendon Serbia nuk duhet bërë kurrë as me Albin Kurtin e as pa të. Kushdo që është shqiptar nëse e bën një Asociacion të tillë heq dorë nga një pjesë e territorit të tij. Besoj se Albin Kurti nuk është prej atyre që falin toka të Kosovës”.
Gashi thotë se Kurti nuk pranon as një Asociacion shumë më të butë se ai që e do Serbia.
Diskutime rreth kësaj post