Email pas emaili mbërrin në kutinë e postës elektronike. I pari është nga punëdhënësi, që anulon të gjitha takimet për javët e ardhshme. Pastaj një organizator koncertesh, që njofton se artisti yt i preferuar nuk do të performojë në fundjavë. Pastaj të kontaktojnë prindërit, që e shtyjnë vizitën te nipërit dhe mbesat – të gjithë duke marrë masa paraprake për të frenuar përhapjen e virusit Corona.
Në Gjermani, si në pjesë të tjera të Evropës, jeta publike ngadalë po ndalet. Ekipet në Bundesliga, në ligën e futbollit në Gjermani, fillimisht luanin në stadiume boshe dhe më pas i shtynë ndeshjet, fushat e lojërave janë të shkreta dhe krejt papritur në trenat e udhëtarëve dhe në kafeteritë e vendit të punës ke më shumë vend për këmbët. Shumica e landeve gjermane kanë urdhëruar që shkollat dhe kopshtet të ndërpresin mësimet që nga java e ardhshme, kryetari i Bashkisë së Berlinit njoftoi edhe se të gjitha baret do të mbyllen. Ndoshta është vetëm çështje kohe përpara se këtë ta bëjnë edhe më shumë restorante dhe kinema, ashtu siç bënë në Itali.
Si shpëton jetën ruajtja e distancës
“Ne e dimë shumë mirë që në fazën e tanishme të pandemisë duhet të ndërpresim praktikisht të gjitha kontaktet me njerëz të tjerë, po të duam të kemi ndonjë shans për të mbajtur sa më të ulët numrin e të infektuarve”, thotë Patrick Larscheid, nëpunësi i shëndetësisë publike për qarkun Berlin-Reinickendorf. Ai i ka bërë thirrje senatit të Berlinit të ndërmarrë hapa më vendimtarë kundër përhapjes së COVID-19, sëmundjes së shkaktuar nga virusi SARS-CoV-2. Ai kërkon që jeta publike të kufizohet sa më shumë që të jetë e mundur për të mbrojtur popullsinë.
A do të shohim së shpejti një situatë të ngjashme me Italinë edhe në Gjermani?
Si masë për të ndaluar përhapjen e virusit, në Itali janë mbyllur për momentin të gjitha dyqanet, përveç farmacive dhe supermarketeve që i kanë mbyllur dyert e tyre baret, restorantet dhe madje edhe berberët. Ngjarjet avancojnë shpejt.
Këto ditë, dashamirësit e kinemave në Gjermani lënë një vend të lirë mes tyre, ndërsa shumë vetë po e shmangin krejtësisht kinemanë nga frika e infeksionit. Shkollat po mbyllen, edhe shteti i Baden-Württemberg e shtyu fillimin e semestrit veror. Ngjarjet kulturore – si Festivali tradicional i Beethoven në Bonn ose Java e Amerikës Latine-Karaibeve në Berlin – po anulohen, siç ndodh edhe me panairet e shumta tregtare. Jeta publike po mbyllet, por për momentin vazhdon, në lëvizje të ngadaltë.
Blerjet në panik i lënë raftet bosh në supermarkete. Me gjermanët që blejnë me shumicë mallrat e konservuara dhe letrat higjenike për në WC për t’i pasur për çdo rast, dyqanet kanë më pak mallra të mbetura për t’ua dhuruar nevojtarëve, thotë Jochen Brühl, kreu i Tafel Deutschland, kuzhinës popullore, e cila mbështet më shumë se 1.5 milion njerëz me sende ushqimore të tepruara dhe donacione të tjera. Brühli i inkurajoi ata që kanë blerë më shumë se u duhet, që të dhurojnë.
A janë këto masa të mjaftueshme?
Numrat e pasagjerëve në aeroportin e Frankfurtit ranë me 14.5% në javën e fundit të shkurtit. Industria e taksive raporton humbje të të ardhurave deri në 40% – humbje që ata po përpiqen t’i kompensojnë, duke ofruar ulje të thella për njerëzit me abone mujore në transportin publik.
Tedros Adhanom Ghebreyesus, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i ka akuzuar disa vende për masa të pamjaftueshme për të luftuar pandeminë e virusit Corona. “Ne jemi thellësisht të shqetësuar që disa vende nuk po i afrohen këtij kërcënimi me nivelin e angazhimit politik të nevojshëm për ta kontrolluar atë,” tha drejtori i përgjithshëm në Gjenevë të enjten. Çështja se cilave shtete u referohej ai mbeti pa përgjigje – por është e mundur që Gjermania të llogaritet mes tyre./ DW
Diskutime rreth kësaj post