Një tërmet me magnitudë 4.7 ballë i shkallës rihter me epiqendër në Klos, vetëm 23 kilometra larg Tiranës e me thellësi 3 kilometra, ka tronditur mbrëmjen e djeshme disa qytete të vendit.
Lëkundjet e forta janë ndjerë në Klos, Tiranë, Lezhë, Fushë-Krujë, Durrës, Elbasan, Shkodër, si dhe Pogradec. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes u raportua për disa dëme të lehta në Xibër, Klos dhe fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz. Lëkundjet e mbrëmshme janë pasuar nga pasgoditje deri në orët e para të mëngjesit.
Rrapo Ormeni, specialist në fushën e sizmologjisë, në një lidhje telefonike me Euronews Albania tha se goditja e djeshme është shoqëruar nga 70 pasgoditje, çka tregon sipas tij se nuk priten lëkundje më të forta.
Ai u shpreh se Klosi nuk është zonë sizmike, tërmeti më i fortë në këtë zonë kanë qenë 5,1 i shkallës rihter. Ormeni tregon se janë tre zona më aktive në Shqipëri dhe me të rrezikuara nga tërmetet.
“Zona e bregdetit Adriatik, zona Lushnje-Elbasan-Dibër dhe Korçë-Ohër, këto janë zonat më aktive”, tha eksperti.
Diskutime rreth kësaj post