Shqipëria do të vijojë nën ndikimin e kthjellimeve të shkurtra dhe vranësirave të shpeshta deri pas mesdite, kur pritet shtim i vranësirave në të gjithë territorin e vendit. Si fillim vranësirat do të gjenerojnë reshje shiu në zonat jugore të Shqipërisë dhe në orët e vona të pasdites i gjithë territori do të përfshihet nga rrebeshe shiu si edhe stuhi të forta ere. Shira me intensitet mesatar dhe lokalisht intensivë do të mbeten prezent edhe gjatë natës.
Temperaturat e ajrit do të rriten lehtë si në mëngjes edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 3°C deri në 19°C. Era do të fryjë mesatare dhe e fortë me shpejtësi mbi 75 km/h nga drejtimi permanent Jugor, për pasojë në brigjet detare do të krijohet dallgëzim të lartë deri në 6 ballë.
Kosova
Orët e para të mëngjesit do të jetë nën ndikimin e kthjellimeve dhe vranësirave të lehta e kalimtare por pas mesditës vranësirat do të bëhen edhe më të dukshme. Parashikohet që pasdite dhe në mbrëmje të ketë grumbullim të vranësirave duke gjeneruar reshje shiu në pjesën më të madhe të Kosovës në majat e maleve priten reshje të izoluara dëbore. Të njëjtat kushte të paqëndrueshme meteorologjike do të na shoqërojnë edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të rriten në mëngjes dhe në mesditë duke u luhatur nga 3 gradë C deri në 16 gradë C. Era do të paraqitet mesatare gjatë paradites por forcohet pasdite duke arritur shpejtësi maksimale mbi 50 km/h nga drejtimi kryesisht Jugor.
Maqedonia e Veriut
Pjesa më e madhe e territorit të MV parashikohet nën dominimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, duke bërë që të ketë mbizotërim të vranësirave dhe shirave ku herë pas here do të jenë rrebeshe. Më të dukshme reshjet priten në pjesën e dytë të ditës dhe në mbrëmje. Ndërsa gjatë paradites do të ketë edhe intervale me kthjellime, më të theksuara në zonat Jugore dhe Juglindore. Parashikohet shtim i intensitetit të reshjeve gjatë natës vonë. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje si në vlerat minimale edhe në vlerat maksimale duke u luhatur nga 3°C më e ulëta në zonat malore deri në 16°C më e larta në zonat Perendimore dhe Jugperëndimore. Era do të fryjë mesatare gjatë ditës por gjatë natës forcohet deri në 45 km/h. Drejtimi i Erës do të jetë kryesisht Jugor – Juglindor.
Europa
Si pasojë e zhvillimit të një qendre të fuqishme Ciklonare në Veri- Veriperëndim të kontinentit do të diktojë kushte të paqëndrueshme atmosferike në ishujt Britanikë, dhe gadishullin Skandinav duke sjellë vranësira dhe reshje të dendura shiu; shoqëruar herë pas here me stuhi të fuqishme ere, ndërkohë në Skandinavi priten edhe reshje të dendura dëbore. Po ashtu Europa qendrore si edhe pjesërisht, gadishulli i Ballkanit do të përfshihen nga një sistem i fuqishëm vranësirash duke sjellë reshje shiu e dëbore në Alpe ndërsa nën ndikimin e motit të kthjellët do të paraqiten vetëm; Gadishulli Iberik si edhe Europa Lindore.
Diskutime rreth kësaj post