Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, foli në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, për vijimin e karrierës së saj politike. E pyetur nga gazetarja nëse do të jetë sërish ministre në kabinetin e ri qeveritar, Gjonaj deklaroi se këtë gjë e vendos kryeministri, i cili sipas saj, do duhet të vendosë për dy skuadra, atë ekzekutive dhe atë legjislative, që do të jenë shumë të rëndëishme për këtë katërvjeçar qeverisës. Mes të tjerash, ministrja foli dhe për ftesën që i është bërë Lulzim Bashës për bashkëpunim, duke thënë se “Askush nuk e mohon që një opozitë e shëndetshme e bën më të shëndetshme qeverisjen”.
Pjesë nga intervista:
PYETJA: E shihni sërish veten ministre?
GJONAJ: Kjo nuk është një gjë që më shqetëson, pasi në fund të fundit është kryeministri që ka përgjegjësinë dyfishe, edhe si kryeministër, edhe si kryetar partie, për të vendosur se kush do të jetë pjesë e kabinetit të tij qeveritar. Unë i jam shumë mirënjohëse që më dha besimin të jem në funksionin e ministrit të Drejtësisë për këto katër vjet, sidomos në një moment shumë të rëndësishëm, që kishte të bënte me zbatimin e Reformës në Drejtësi, besoj se kam bërë maksimumin tim në ushtrimin e kësaj detyre. Nëse unë do të jem apo jo, kjo nuk është një çështje që me preokupon, pasi nuk është qëllim në vetvete pozicioni i ministrit për mua.
PYETJA: Gjithsesi, ju jeni një figurë e votuar në 25 prill…
GJONAJ: Kryeministri do duhet të vendosë për të dyja skuadrat, atë qeverisëse dhe atë legjislative. Aty ku ai do të shohë që i shërben gjithë asaj që ne kemi si objektiv, si agjendë, çdo person, çdo njëri nga ne, besoj që do të vendosë nëse do të jemi, apo kush do të jetë pjesë e ekzekutivit apo legjislativit, sepse në fund të fundit të dyja këto skuadra kanë një rëndësi shumë të madhe në këtë katër vjeçar.
PYETJA: Sa i takon opozitës, Lulzim Basha i zgjedhur edhe njëherë në krye të PD, ju i keni shtrirë dorën e bashkëpunimit, ai refuzon, mbi ç’bazë e bëni këtë? Si e shihni ju opozitën dhe Lulzim Bashën?
GJONAJ: Në çdo vend, opozita është shumë e rëndësishme dhe i shërben konsolidimit të demokracisë, qeverisjes më të mirë, sidomos kur është një opozitë konstruktive. Askush nuk e mohon që një opozitë e shëndetshme e bën më të shëndetshme qeverisjen. Por, duhet të kuptojmë që agjenda ka disa çështje shumë më prioritare, se thjesht në atë që konsiderohen qeverisja e vendit, janë agjenda kombëtare, çështjet e integrimit, çështjet e reformës në drejtësi, që sot janë top agjendat e PS për t’u ndjekur. Pikërisht për këto, por edhe për të tjera çështje, është kërkuar dhe i është shtrirë dora e bashkëpunimit opozitës.
PYETJA: Ndiheni komodë me opozitën, apo ndiheni të sfiduar?
GJONAJ: Nuk besoj se ka vend për të parë se ka të sfiduar apo sfidues, por besoj se një bashkëpunim për çështje që kanë interes, më shumë se thjesht qeverisja, janë më të rëndësishme se sa për të parë rolet apo pozicionet e secilës parti.
Diskutime rreth kësaj post