Ish-kryeministri Sali Berisha, pak çaste para nisjes së seancës plenare të orës 17:00, ka përsëritur thirrjen drejtuar qytetarëve për t’u bërë pjesë e një proteste jashtë godinës së Parlamentit.
Nga selia blu, Berisha tha se opozita nuk do e bojkotojë parlamentin, ndonëse sipas tij maxhoranca nuk respekton asnjë rregull.
Duke përmendur revolucionin e shpallur prej tij, Berisha tha se qëllimi madhor është “përmbysja e regjimit”.
“Një revolucion që ka për objektiv major përmbysjen e regjimit, të bazuar në vjedhjen e shqiptarëve, rikthimin e votës së lirë, si objektivat më madhorë të tij. Ne nisëm pardje revolucionin tonë për ta vazhduar atë në të katër anët e vendit. Nuk ka diskutim që parlamenti është një epiqendër jashtëzakonisht e rëndësishme. Nëse kushtetuta dhunohet në parlament, këtu ligjet kanë marrë fund dhe mbetet gjithçka në vullnetin e një njeriu. E vërteta është që ligjet dhe kushtetuta janë një letër e vdekur në këtë vend.
Ju e morët vesh se si Gjykata Kushtetuese kapitulloi para Erion Veliajt dhe Edi Ramës. Ndaj dhe ne duhet të bëjmë një betejë të fortë në Parlament. Nuk mund të ecet më siç është ecur. Ligjet tona nuk lexohen, nuk shqyrtohen. Një njeri, kryetarja e parlamentit vendos gjithçka. Sot është një protestë jashtë parlamentit, protesta do të jetë, zëri ynë do të jetë brenda, jashtë parlamentit, nuk kemi asnjë qëllim veç se thirrje për çdo qytetar shqiptar, një apel, një kushtrim se këtë parlament sot nuk respektohet asnjë e drejtë e opozitës, se ky parlament bën gjithçka që opozita ta bojkotojë atë, por opozita nuk e bojkoton parlamentin”, deklaroi ndër të tjera Sali Berisha.
Diskutime rreth kësaj post