Ditën e sotme ka marrë shumë reagime ultimatumi i ambasadores Yuri Kim ndaj Lulzim Bashës që ish-kryeministri Sali Berisha i shpallur “Non Grata” nga SHBA të mos jetë pjesë e parlamentit të ri në shtator.
Ish kreu i KQZ Kristaq Kume duke folur për këtë temë tha se në asnjë dokument ligjor nuk parashikohen detyrime për kryetarin e partisë që t’i kërkojë të lërë mandatin.
“Në asnjë akt ligjor as në dokumentat e partive nuk parashikohen detyrime që kryetari i partisë ti kërkojë dikujt që ka fituar mandatin ta lëshojë, kjo mund të bëhet vetëm me ligj. Ne kemi ligjin për integritetin dhe pastërtinë e figurës ose ligji i dekriminalizimit.
Personat që ushtrojnë një detyrë të lartë shtetërore mund të jenë objekt i këtij ligji vetëm nëse kanë konsumuar një vepër penale që parashikohet nën nenin 2 të këtij ligji. Në rastin e Berishës ne nuk ndodhemi në kushtet ku ti referohemi këtij neni. Fakti që diskutohet ky problem duke marrë ngasje nga deklarimi i tij non grata është tjetër gjë dhe ska lidhje me atë se kur dhe si vepron dekriminalizimin”, tha Kume.
Sipas Kumes, ligji e garanton marrjen e mandatit të deputetit të Berishës sakaq është në dorën e tij nëse jep ose jo dorëheqjen.
“KQZ është një ndër institucionet që ka për detyrë të verifikojë formularët e vetëdeklarimit të kandidatëve. Mund të ndodhë që të bëjë verifikim të thelluar për një nga kandidatët. Në rastin në fjalë nuk shoh asnjë lidhje midis detyrave të kqz vetëm nga fakti që Berisha është shpallur non grata. Ligji e garanton marrjen e mandatit të deputetit të Berishës. Lënia e mandatit është vetëm e drejtë individuale e Berishës kur deklarohet se nuk e pranon mandatin por nuk mundet të ndodhë ndryshe përveçse e gjitha mund të bëhet me vullnetin e të zgjedhurit. Për mua gjithçka që do të ndodhë është në dorë të Berishës”, deklaroi më tej Kume.
Diskutime rreth kësaj post