Nga Çapajev Gjokutaj
“Kompania që ka fituar koncesionin e laboratorëve 100 milionë euro, do të investojë vetëm 9.9 milionë”. “Shfryhet aksioni i policisë në Fier. U kapën si bandë, por akuzohen në gjykatë për 130 gr hashash.”
Tituj të kësaj natyre zinin vend ballor në emisionin kryesor të lajmeve të Top Channel mbrëmë.
Kurse parmbrëmë lajmi për varrosjen e Toto Rinës hapi ‘çuditërisht’ emisionin kryesor dhe, menjëherë pasuan lajme për cështjet ‘Tahiri’ e ‘Shullazi’.
Duket qartë se linja editoriale e Topit ka ndryshuar kryekëput. Nga dashamirëse dhe përkrahëse e qeverisë, është kthyer në të kundërtën.
Nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi. Maxhoranca ka një shumicë të qendrueshme në parlament dhe PS nuk e ndan pushtetin me parti tjetër.
Në rrethana të tilla, çdo shoqëri për së mbari, forcon instrumentat e kontrollit dhe të opzitarizmit. Se pushteti i shumtë prish.
Për më tepër, Topi di ta bëjë opozitën edhe mirë, edhe frytshëm.
Dhe t’i shërbejë interesit publik. E ka dëshmuar vite të shkuara.
Por ka diçka që kërcet në kundërvënien e tanishme ndaj qeverisë.
Ndryshimet tak-fak të politikës redaksionale, nuk janë rrufe në qiell të kaltër.
Kanë shkaqe që mund të lidhen me parime, por edhe me interesa biznesi.
Të çdo lloji qofshin, shkaqe të tilla duhen bërë publike.
Jo thjesht për kuriozitet, por sepse mungesa e transparencës është terr dhe terri bëhet burim mahisjesh, infeksionesh e allishverishesh.
Mund të jetë rasti që as Topi, as qeveria nuk kanë interes t’i artikulojnë publikisht shkaqet pse erdhën në thikë e në pikë.
Po mediat e tjera ç’bëjnë, përse hiqen mënjanë e heshtin? Dhe më kryesorja: pse po hesht opozita?
Ku s’del zë, s’është pa gjë.
Diskutime rreth kësaj post