Nga Nikoll Lesi
Edi Rama ndër vitet 1994-1997, kur shkruante në gazetën “Koha Jone”, thoshte se shqetsohej nga nxitimi dhe turravrapi i Presidentit Berisha për ti marrë të gjitha pushtetet në një dorë. Artikujt dhe intervistat e Ramës, sidomos në vitin 1996, vit kur Berisha u bë më i dhunshëm, pasi futi në fushën politike edhe SHIK-un e Gazidedes dhe Visho Ajazit, paralajmëronin se pushteti do binte dhunshëm e potershëm. Dhe ashtu ndodhi në vitin e mbrapshtë 1996; PD-ja në pushtet vodhi zgjedhjet me 26 maj 1996, pasi kishte marrë gjithë pushtetet me radhë në pak vite. Dhe shkoi me vrap drejt vitit 1997, vit të cilin e dijmë se ç’tragjedi solli.
Natyrishta, atëkohë, kishte edhe rrethana të tjera gjeostrategjike, që i dhanë një dorë me shumë rrëzimit të pushtetit, por duhet të mos harrojmë se pushteti presidencial në ato vite kishte fuqi edhe ekzekutive, ndonëse kishte qeveri. Pra drejtësinë e kishte nën kontroll, pushtetin presidencial po, ekzekutivin po, parlamentar po se po. Berisha nuk kishte pushtetin e medias së shkruar, pushtet i cili i doli përballë, dhe e rrëzoi Saliun.
Në ato vite, mes gjithë të këqijave, kishte një të mirë; pushteti ishte autoritar, i dhunshëm, por jo i komanduar apo bashkëpunues me bandat dhe krimin e organizuar.
Edi Rama shkroi duke e goditur këtë mënyrë abuzimi me pushtetin. Ndaj lexohej në “Koha Jone”, asokohe, bile edhe kur nuk kishte më gazeta në pikat e gazetashitësve, shkrimet e tij si dhe disa autorëve të tjerë bliheshin të fotokopjuar nga lexuesit.
Po sot në vitin 2017?
Edi Rama është kryeministër. Ndryshe nga viti 1996, kur kryeministri nuk kishte fuqi të madhe, tashmë Presidenti nuk ka shumë kompetenca, kurse kryeministri është i gjithëpushtetshëm. Më saktë fuqiplotë. Dhe si për dreq, Edi Rama është njeriu që e zotëron pushtetin, për të cilin shkruante dikur kundër Berishës.
Sot Edi Rama ka një mazhorancë parlamentare të blinduar me 78 deputetë, ka median nën kontroll, ka biznesin me të cilin bashkëqeveris, ka qeverinë; mori SHISH, po merr Prokurorin e Përgjithshëm, po fut në kontroll gjykatat me Vettingun me marifet përfekt ndërkombëtar. Po merr edhe KQZ. I ka mbetur vetëm Presidenti që nuk e dikton dot. Por Kryetari i Shtetit me kompetencat që ia përlau pazari Rama-Berisha në mars 2008, me shumë është një Autoritet Moral e Kombëtar. Pushtetet ku firmoset, ku del lumë paraja e ku luten e falen e njerëzit e biznesit dhe ambasadorët, i ka Edi Rama. Pushtetin ku krimi përzihet me politikën e lartë e ka prapë Edi Rama.
Interesante do të ishte se si do të shkruante Edi i dikurshëm, intelektual dhe kurajoz, për Ramën e sotëm plot pushtet e arrogancë.
Diskutime rreth kësaj post