Tanimë është bërë e modës, që disa gazetarë, kryesisht ata të kronikës, për të qenë prezent në media, lëshojnë “bomba” dhe “shashka” nëpër studio televizive.
Edhe pse në pjesën më të madhe të kohës aludojnë, për të mos thënë se gënjejnë, drejtuesit e emisioneve i ftojnë pa të keq, duke e ditur fare mirë që ata po shtrembërojnë realitetin.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion”.
Gazetarja Anduena Llabani deklaroi në emision, se prokurori Anton Martini kishte dërguar një letër në 3 Ambasadat më të rëndësishme perëndimore në Tiranë, për t’u ankuar pse e kishin lëvizur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në Prokurorinë e Shkodrës.
Sipas saj, Martini kishte disa dosje hetimi në dorë, mes të cilave edhe një për Vangjush Dakon, që nuk donte t’i linte në mes me ikjen në Shkodër.
Por, prokurori ka reaguar menjëherë, duke dërguar një mesazh në telefonin e Blendi Fevziut.
“Desha të them se Anduena tha gjëra të pasakta lidhur me ankesat e mia në drejtim të Ambasadave për hetime konkrete”, tha ai.
Megjithse gazetarja u përgënjeshtrua publikisht nga prokurori në fjalë, emisioni vazhdoi si pa të keq.
Fundja tashmë është bërë “modë” që të thuhet çfarë të duhet në emisione (gënjeshtra pastaj shumëfishohet nëpër portale), pasi askush nuk mban më përgjegjësi për ato që thotë, duke goditur dhe cënuar kështu rëndë, besueshmërinë e gazetarëve.
Rasti më flagrant ka qenë ai i Artur Zhejit, që rreth dy vite më parë deklaronte se kishte parë një video seksi të një ministri, dhe atë ia kishte treguar Mentor Kikia.
Por kur ky i fundit e mohoi këtë gjë, duke thënë se ai po gënjente, Zheji jo vetëm që nuk kërkoi ndjesë për gënjeshtrën e tij, por vazhdonte të dilte dhe të dalë si pa të keq, në ekranet e televizioneve!
Diskutime rreth kësaj post